Fillon aplikimi për pushime vjetore për punëtorët me të ardhura të ulëta

13:34 | 5 Prill 2018
Arbresh.info

Punëtorët me të ardhura të ulëta, tashmë mund të aplikojnë për masën e shfrytëzimit të pushimit vjetor, në kuadër të Programit për mbështetjen e turizmit vendas për punëtorët me të ardhura të ulëta në Republikën e Maqedonisë për vitin 2018, të Ministrisë së Ekonomisë.

Thirrja publike është publikuar më 2 prill, ndërsa aplikimi për këtë së bashku me dokumentacionin e plotë zgjatë deri në 31 maj 2018, edhe pse shfrytëzimi i mjeteve është në bazë të parimit “I pari vjen i pari shërbehesh”, deri në shfrytëzimin e plotë të buxhetit prej 30 milion denarë, me të cilat do të subvencionohen 2000 familje.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat fizikë të cilët janë të punësuar, ndërsa të ardhurat e tyre mujore në familje nuk tejkalojnë shumën prej 22,000 denarë. Punëtorëve me të ardhura të ulëta të cilët me kohë kanë dorëzuar dokumentacionin e rregullt dhe të plotë, Ministria e Ekonomisë do tu ndajë vërtetim në vlerë të përgjithshme prej 15.000 denarë për ta shfrytëzuar në njërin prej objekteve të kategorizuara të hotelerisë për akomodimin në Republikën e Maqedonisë të cilat paraprakisht janë përzgjedhur nga Ministria e Ekonomisë.

Qëllimi i kësaj mase është që tu mundësojë personave me të ardhura të ulëta të marrin pushim vjetor dhe njëkohësisht tu ndihmohet qendrave turistike të rrisin sasinë e punës edhe jashtë sezonit turistik. Për pjesëmarrje në thirrjen publike, punëtorët me të ardhura të ulëta – aplikantët , në Ministrinë e Ekonomisë duhet të dorëzojnë këtë dokumentacion:

Formulari i plotësuar (formular i gatshëm që mund të merret në arkivin e Ministrisë së Ekonomisë ose mund ta gjeni edhe përmes faqes së internetit të Ministrisë:www.economy.gov.mk);

Vërtetim nga punëdhënësi për shumën e pagës dhe certifikat bankare për tre (3) muajt e fundit për aplikantin dhe anëtarët e afërt të familjes (nëse janë të punësuar) që do të shfrytëzojnë pushimet ;

Certifikatë nga Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë që dëshmon se anëtarët e familjes së ngushtë nuk janë të punësuar (nëse nuk janë të punësuar);
Kopje e letërnjoftimit ose pasaportës për të dhe anëtarët e familjes së ngushtë që do të përdorin pushimet bashkë me të;

Deklaratë që aplikuesi personalisht ose me anëtarët e afërt të familjes të emëruar në kërkesë do të shfytëzojnë pushimet (formular i gatshëm);

Deklaratë se aplikuesi moralisht dhe materialisht do të përgjigjet penalisht për të dhënat e regjistruara (të dhënat personale dhe mjetet financiare), të nënshkruara nga aplikuesi (e certifikuar në noter).

Ndërkohë ju njoftojmë se vetëm një here një person mund të paraqesë kërkesë për shfrytëzimin e fondeve për pushime të organizuara ndërsa vërtetimi mund të përdoret jo më vonë se data 30 nëntor 2018 në një nga objektet hotelierike nga lista e regjistruar hotelierike,e publikuar edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.

Kërkesa duhet të dorëzohet në arkivin e Ministrisë së Ekonomisë personalisht ose me postë në adresën “Juri Gagarin” nr. 15 Shkup, ndërsa lista e kandidatëve të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin e saktë dhe të plotë do të publikohet në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë, jo më vonë se shtatë ditë nga data e konfirmimit të listës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme