Google ADS

Familjarët e të dënuarve: Vendimet të pa drejta dhe të motivuara politikisht

15:55 | 2 Nëntor 2017
Arbresh.info

Familjarët e të dënuarve për rastin Lagja e Trimave, pritën me orë të tëra epilogun gjyqësorë.

Menjëherë pas përfundimit të seancës, ata u vërsulen drejt gazetarëve për të kuptuar dënimet për të afërmit e tyre pasi ishin larguar nga salla para shqiptimit të vendimit.
Sipas tyre vendimet janë të pa drejta, të motivuara politikisht dhe se bijtë e tyre janë pre e skenarëve të shërbimeve sekrete. Partinë në pushtet e akuzuan për mosinteresim ndaj qytetarëve të saj.

Familjarët e të dënuarve nga Kosova të dëshpëruar refuzuan të komentojnë verdiktimin e gjykatës. Derisa familjarët e të dënuarve të grupit nga Maqedonia edhe njëherë përsëritën se rasti është i montuar dhe të afërmit e tyre nuk kishin asnjë lidhshmëri me ngjarjet në Kumanovë.

“Elham Arifin e kam nip. Nga fakulteti është kthyer në shtëpi dhe nga shtëpia ka ikur në katund në Brezë, pastaj e ka arrestuar policia dhe ja sot 13 vite burg, për çka, për asgjë! Ja këto janë reklamat e Ali Ahmetit. Ky është çmimi që po e paguajmë për partin e tij ne si popull”, u shpreh një familjar.

“A e mendojnë këta politikan për fëmijët që i kanë lënë pa nënë dhe pa baba. Nuk i ka mbetur askush dhe të ardhura nuk kanë nga askush. Le të mendojnë pak për ata”, tha një tjetër familjar.

Familjarët e të liruarve nga akuza pritën me lot vendimin. Ata thonë se gjithnjë kanë besuar në pafajësinë e familjarëve të tyre.

“U gëzova shumë, nuk di çfarë të them pas këtij gëzimi. Me vjen keq për gjithë ata që i ka lënë pas dhe dashtë Zoti të lirohen edhe ata sa më shpejtë. Zoti u ndihmoftë të gjithëve”, deklaroi bashkëshortja e Besnik Ajdinit.

Një numër i madh i familjarëve u larguan me lot në sy megjithatë shpresa e tyre mbetet në apelimin e rastit ne Gjykatën e Apelit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme