Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët ende gjenden në Ukrainë po evakuohen përmes korridoreve të sigurisë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme apelojnë te të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët ende nuk i kanë dorëzuar të dhënat e tyre, menjëherë të paraqiten në linjën telefonike +389 75 273 732, e cila gjatë gjithë kohës është aktive dhe t’i japin të dhënat e sakta për lokacionin dhe gjendjen e tyre.
Dje, dy familje nga Odesa përmes korridorit të siguruar në koordinim me Qeverinë e Bullgarisë janë evakuuar, ndërsa gjashtë qytetarë tjerë të Maqedonisë së Veriut gjenden në vend të sigurtë në Moldavi prej ku duhet të vazhdojnë drejt Bullgarisë, ndërsa prej atje drejt vendit.
“Aktivitetet vazhdojnë, bëhen të gjitha përpjekjet që të evakuohen të gjithë qytetarët që do të kërkojnë ndihmë”, shënoi dje ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në “Facebook”.
Nga MPJ apelojnë te të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë mundësi, të nisen për në Odesa dhe të paraqiten në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme të Bullgarisë prej ku ende ka korridore aktive për evakuim.
Është realizuar bashkëpunim edhe me autoritetet e Rumanisë dhe Hungarisë dhe apelohet te qytetarët, të cilët kanë mundësi, të udhëtojnë në pjesën perëndimore të Ukrainës, në konsullatën e Rumanisë në Solotvine dhe Çernauti, si dhe drejt konsullatave të Hungarisë në Uzgorod, Beregove dhe Mukaçevo.
Në këto lokacione, siç njoftoi dje MPJ, do t’u ofrohet ndihmë plotësuese për evakuimin e tyre nga Ukraina drejt këtyre vendeve.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me autoritetet në Moldavi, prej ku gjithashtu kemi marrë vërtetim për përfshirje të shtetasve tanë në korridoret e tyre eventuale për evakuim”, informoi MPJ.
Prej atje potencuan se bëhen përpjekje për të siguruar edhe korridore tjera të sigurisë për evakuim të shtetasve tanë, për të cilat do të japin informacione shtesë.
Të shtunën ishin evakuuar edhe diplomatët e Maqedonisë së Veriut nga Kievi dhe kishte filluar procesi për evakuimin e 30-të vëzhguesve tanë në suaza të Misionit Special për Monitorim. Një pjesë e tyre ishin dërguar drejt Moldavisë, ndërsa një pjesë drejt Polonisë.
“Ne vendimin për evakuimin e diplomatëve tanë e kemi sjellur gjatë ditës së agresionit rus në Ukrainë, por për shkak të rrethanave të vështirësuara ata nuk ishin në gjendje ta braktisin Ambasadën. Ata ishin fshehur gjatë gjithë kësaj kohe. Më pas u koordinuam me partnerët tanë dhe arritëm t’i nxjerrim diplomatët tanë nga korridori i sigurisë para gjysmë ore dhe ata tashmë janë nisur për në Moldavi”, tha Osmani të shtunën.
Nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, siç kumtoi UNICEF, në shtet fqinje janë larguar rreth 368.000 refugjatë dhe numri i tyre vazhdon të rritet.
“Ai numër bazohet në të dhënat që na i dhanë autoritetet kombëtare, kumtoi dje UNHCR, në një postim në Tuiter. Paraprakisht agjencia e KB-së publikoi se në shtetet fqinje ka më shumë se 200.000 refugjatë./Koha.mk/