Google ADS

Erdogan njofton kapjen e drejtuesit të DEASH-it në Turqi

07:41 | 9 Shtator 2022
Vjollca Gajraku

Një nga drejtuesit më të rëndësishëm të lartë të organizatës terroriste DEASH është kapur në Turqi, njoftoi presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristi Bashar Khattab Ghazal Al-Sumaidai, me emrin e koduar Abu Zeid/Mjeshtri Zeid, u kap në një operacion të suksesshëm nga inteligjenca turke dhe policia e Istanbulit, u tha Erdoğan gazetarëve në aeroplanin presidencial gjatë kthimit nga turneu i tij ballkanik.

“Raportet ndërkombëtare dhe raporti i Sigurisë së OKB-së përmbanin gjithashtu informacione se ky terrorist ishte një nga drejtuesit e lartë të organizatës terroriste DEASH”, vuri në dukje presidenti turk.

Erdoğan tha se lidhjet e terroristit në Siri dhe Istanbul janë përcjellë për një kohë të gjatë dhe janë marrë informacione të inteligjencës se ai do të hynte ilegalisht në Türkiye.

Njësitë e sigurisë në Istanbul kanë përcaktuar se terroristi ka përdorur identitet të rremë, shtoi ai.

Erdoğan tha se terroristi është transferuar tek autoritetet gjyqësore me urdhër të Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Istanbulit, pasi është marrë në pyetje nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës dhe policia e Istanbulit.

Në Raportin e 30-të të Zakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të publikuar më 11 korrik 2022, përmendet se pjesëtari i kapur i DEASH-it, Bashar Khattab Ghazal Al-Sumaidai, ka marrë pjesë në udhëheqjen e organizatës terroriste.

“Më 3 shkurt, lideri i DEASH-it, Amir Muhammad Sa’id Abdal-Rahman Al-Salbi, u vra në operacionin e udhëhequr nga SHBA-ja në Atmah, pranë kufirit turk. Më 10 mars, DEASH-i pranoi vdekjen e Al-Salbi-t dhe njoftoi se Abu l-Hassan Al-Hashemi Al-Qurashi do të zinte vendin e tij. Edhe pse identiteti i vërtetë i Abu Al-Hassan-it ende nuk është përcaktuar, mes shteteve anëtare konsiderohet se ky person ka shumë gjasa të jetë irakiani Bashar Khattab Ghazal Al-Sumaidai”, thuhej në raport./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme