Emrat e njëjtë në drejtori të ndryshme në Maqedoninë e Veriut

22:44 | 30 Tetor 2020
A. B.

Përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve shtetërorë mbetet peng i pazareve politike në Maqedoninë e Veriut, theksojnë njohësit e çështjeve politike, duke shtuar se kjo në masë të theksuar e pengon reformimin e institucioneve në përputhje me detyrimet, të cilat i janë përcaktuar vendit për sa i përket procesit të euro-integrimeve.

Këto reagime vijnë pas emërimit të shumë drejtorëve në institucionet e shtetit nga ana e qeverisë.

Një pjesë e deputetëve tashmë e kanë dorëzuar mandatin pasi janë emëruar në pozita drejtor ose drejtues të këshillave në institucione të ndryshme të shtetit.

Sanja Lukarevska pasi dorëzon mandatin e deputetes, emërohet drejtore Drejtorisë së të Hyrave Publike, të cilin institucion e ka drejtuar edhe gjatë qeverisë paraprake . Edhe Bajram Rexhepi, gjithashtu, e ka dorëzuar mandatin e deputetit, pasi mori detyrën si anëtar i Këshillit të Drejtorëve të Shoqërisë Aksionare për Veprimtari Energjetike, e paraprakisht ai kishte drejtuar Drejtorinë e Resurseve Energjetike.

Biljana Jovanvska nga posti i drejtorit në Agjencinë për Punësim, kalon në krye të Fondit të Sigurimit Pensional.

Borçe Haxhiev nga posti i drejtorit të Fondit të Sigurimeve të Depozitave, kalon në krye të Byrosë së të Hyrave Publike.

Përderisa Ejup Rustemi nga Posta e Maqedonisë, tani do të drejtojë Ndërmarrjen Publike të Rrugëve. Rotacione të shumta të njerëzve të njëjtë ka edhe në shumë drejtori.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja e emrave të njëjtë nga një pozicion shtetëror në tjetrin, tregon se liderët e partive politike nuk janë të gatshëm për ndryshime thelbësore, ndërkohë që të paktën në deklarata thonë se angazhohen për inkuadrimin e vendit në Bashkimin Evropian, e kjo bie ndesh me parimet demokratike ku zgjedhja e drejtuesve të institucioneve bëhet në bazë të aftësive profesionale dhe jo afërsisë me strukturat udhëheqëse të partisë.

“Lëvizja e këtyre emrave të njëjtë për shumë kohë, e mban vendin në apati, për shkak se njerëzit e njëjtëe i lëvizin nga një pozicion në pozicionin tjetër duke luajtur lojën e një shahu politik”, thotë Sinani, duke shtuar se kësaj praktike duhet t’i jepet fund pasi, siç thekson ai, udhëheqja e mirë është çelës për sa i përket kthimit të besimit të qytetarëve tek institucionet e shtetit.

Pothuajse një vit të plotë në procedurë parlamentare ka ngecur Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, në bazë të të cilit sekretarët shtetërore dhe një pjesë e drejtorëve të institucioneve shtetërore do të mundësohet të zgjidhen në bazë të meritave dhe aftësive profesionale dhe jo afërsisë me krerët e partive politike.

Në bazë të këtij ligji, zgjedhja e udhëheqësve të institucioneve parashihet të bëhet në mënyrë transparente, pasi, siç theksohet në arsyetimin e nevojës për miratimin e ligjit në fjalë, profesionalizmi i shërbimit të lartë udhëheqës është një nga kushtet kyçe për avancimin e kapaciteteve organizative dhe përforcimin e udhëheqjes së mirë në institucionet e sektorit publik.

Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës nuk do të aplikohet në: gjyq, prokurori publike, institucione të fushave të sigurimit, përcjellje të komunikimeve, inteligjencë, mbrojtje dhe në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut – përfaqësitë konsullore, komunat, qyteti i Shkupit ose komunat e qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjet e krijuara publike, institucionet publike dhe organet rregullatore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme