Ekskluzive: Kandidati shqiptar për deputet në Kroaci- E mira e kombit, në vend të parë!

09:37 | 24 Tetor 2015
Arbresh.info

Idris Sulejmani është kandidati i parë i komunitetit shqiptar në Kroaci i cili synon të zërë ulësen e deputetit në parlamentin kroat.

Sulejmani i cili është nga Tetova tregon se ka plot 20 vite që synon të fitojë një ulëse në parlamentin kroat por që deri në zgjedhjet e vitit 2011, popullata shqiptare atje nuk ishte shumë e interesuar për të dhënë votën e tyre.

Në një intervistë ekskluzive për Arbresh.info, Sulejmani rrëfen se kush ishin njerëzit që i kanë dhënë mbështetjen për të paraqitur kandidaturën e tij për deputet në mesin e të cilëve edhe figura kyçe të politikës kroate.

Ai tregon për gjendjen në të cilën ndodhet komuniteti shqiptar në Kroaci duke u shprehur se pikërisht për të përmirësuar këtë gjendje ai po bënë përpjekje me vite që shqiptarët të kenë një përfaqësues të tyre në organin e atjeshëm legjislativ.

Sulejmani thotë se interesi kombëtar është mbi të gjitha.

Arbresh.info: Ju jeni shqiptari i parë i cili synon ulësen e deputetit në parlamentin kroat. Cilat janë pritjet tuaja dhe çfarë mbështetje keni marrë deri më tani?

Sulejmani: Ka 20 vite që synojmë ulësen e deputetit në parlamentin kroat, por deri në zgjedhjet e 2011 popullata shqiptare nuk ka qenë e interesuar të dalë në zgjedhje, këtë e them i bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të para 2011 ku kemi pasur raste që vetëm 400 shqiptarë kanë votuar për listën e pakicave në të cilën kandidohemi. Në 2011 për herë të parë  kandidova për deputet edhe pse isha një ndër favoritet e listës sonë, duke e parë se votat tona do të ndahen në mes meje dhe kundërkandidates nga radhët tona dhe se prapë do të mbetemi pa fitore, i udhëhequr nga interesi kombëtar unë i dhashë përparësi zonjës dhe me 29.11.2011 në hotel Rivijera në Pullë haptazi u tërhoqa dhe ftova të gjithë votuesit e mi që votën t’ia japin asaj. Ishte ky moment kur shumica e shqiptarëve u bashkuam dhe për herë të parë në zgjedhje dolëm mbi 2000 shqiptarë të cilët votuam për listën tonë. Fatkeqësisht humbëm për 74 vota. Pres qe tek ne të zgjohet vetëdija dhe të kuptojmë se të bashkuar mund t’ia arrijmë qëllimit tonë. Kur e them këtë mendoj jo vetëm në anëtarët e stafit që sot kam por edhe marr parasysh të gjithë ata që me kanë dhënë dhe japin përkrahje konkrete. Ndër të parët që përkrahën  idenë time të kandidohem për parlamentin kroat është ish presidenti i Kroacisë, miku im dhe miku i dëshmuar i popullit shqiptar z. Stjepan Mesiq, profesori në Universitetin e Lubjanes dr. Martin Berishaj,  deputetja në parlamentin kroat dhe ish Kryeministrja e Kroacisë znj. Jadranka Kosor etj… ndërsa kandidaturën time e ka mbështetur Bashkësia e Shqiptarëve të Prefekturës së Istres pjesë e së cilës janë 7 shoqata dhe 4 Këshille shqiptare…

Arbresh.info: Çka synoni të arrini duke u bërë deputet në parlamentin kroat?

Sulejmani: Veprimtaria ime kombëtare nuk fillon me parlamentin kroat, kam dëshirë të jem zëri së pari i shqiptarëve e pastaj edhe i të gjitha pakicave të listës sonë dhe tani nga një pozitë e cila jep mundësi të shumta të vazhdoj të ndihmoj bashkëkombësit e mi ashtu si kam bërë 30 vitet e fundit duke shfrytëzuar shoqërinë dhe miqësinë që kam me njerëzit në vende të duhura qoftë në qeverisje lokale, shëndetësi, arsim etj. Bashkëkombësit tanë e dinë se gjithmonë kam qenë ai që nuk ka kursyer asgjë për tu dalë në ndihmë secilit që më është drejtuar për çfarëdo halli dhe se për shumicën kam gjetur zgjidhje, këtë nuk po e përmend për të ngritur veten por për të qartësuar se sa do të mund të kontribuoja nga pozita e deputetit. Pra, gjithmonë e mira e kombit në vend të parë.

Arbresh.info: Në çfarë gjendje është komuniteti shqiptar në Kroaci?

Sulejmani: Të flasim për komunitetin shqiptar në Kroaci duhet një kohë e gjatë meqë këtu kemi shqiptare nga të gjitha trojet tona, kemi shqiptarë të cilët këtu jetojnë me gjenerata domethënë që kanë ardhur menjëherë pas luftës se Dytë Botërore (babai im ishte një ndër ta), kemi shqiptarë të cilët edhe sot janë duke ardhur në Kroaci pra nëse nisemi nga ky këndvështrim atëherë hallet e secilit prej këtij grupacioni janë të ndryshme. Si e dini shumica e shqiptarëve në Kroaci kanë bizneset e veta  dhe problemet duke filluar nga rregullimi i çështjes së nënshtetësive, pyetjeve ekzistenciale të cilat më së shumti kanë të bëjnë me rregullimin e çështjeve juridike rreth lokaleve, terasave , lejeve të punësimit etj etj. Kemi fat se jetojmë në shtet demokratik i cili ka një ndër ligjet më të mira sa u përket të drejtave të pakicave kombëtare, por ligji nëse nuk zbatohet është vetëm letër e shkruar, pra ne me ligj kemi mjaft të drejta por ato duhet t’i kërkojmë.

Arbresh.info: Çka do të jetë prioritet për ju, pasi të uleni në ulësen e deputetit?

Ajo që më udhëheq gjatë 30 viteve të fundit të veprimtarisë sime është vetëm interesi ynë kombëtar, shumica e shqiptareve ne Kroaci më njohin dhe e dinë se rend të parë pra kam të mirën e bashkëkombësve të mi dhe në atë drejtim nuk ndalem pa marrë parasysh a do të fitoj ulësen e deputetit apo jo, mirëpo po e fitova atëherë do të kem mundësi të kontribuoj shumë më shumë se deri më tani. Pasi të ulem në ulësen e deputetit prioritet kam një projekt të filluar në fillim të këtij viti e ai është vendosja e bustit të Nënë Terezës në sheshin kryesor të qytetit të Porecit për të cilën anën administrative e kam të kryer. Prioriteti tjetër do të jetë që së bashku me stafin tim të formoj një këshill i cili do të përbehet nga disa bashkatdhetarë tanët nga e tërë Kroacia të cilët do të jenë lidhja direkte e imja me votuesit e mi. Detyra e parë e këtij këshilli do të jetë zgjedhja e 3 studentëve shqiptarë- nga më të nevojshmit,  për ndarjen e 3 bursave nga rroga ime gjatë tërë mandatit tim si deputet (cca 130 euro për student). Normal që unë kam edhe programin tim me të cilin kandidoj dhe sipas të cilit kërkoj mbështetjen e votuesve nga lista jonë. Një ndër pikat prioritare të programit është edhe punësimi i të rinjve tanë në strukturat shtetërore, të prefekturave si dhe asaj lokale- edhe pse ligji mbi të drejtat e pakicave parasheh se në këto struktura duhet të punësohen pjesëtarë të pakicave në atë përqindje sa janë prezent ne cilëndo nga strukturat lirisht mund të them se shumë pak respektohet.

Po e përfundoj me një apel për të gjithë bashkëkombësit tanë si dhe të gjithë pjesëtaret e pakicave të listës sonë : Ju ftoj të gjithëve që të bëhemi pjesë e një historie të re për shqiptaret në Kroaci,  08.11.2015 të apeloni tek familjarët, miqtë, shokët dhe dashamirët të dalin në zgjedhje, të merrni listën tonë (shqiptare) dhe te rrethoni nr. 11 – IDRIS SULEJMANI!!!!  TË BASHKUAR FITOJMË!!!!/arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme