Google ADS

Edhe pse premtoi, Qeveria ende nuk ka ueb-faqe funksionale në gjuhën shqipe!

10:18 | 26 Maj 2018
Arbresh.info

Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka ueb-faqe funksionale në gjuhën shqipe edhe pse paraprakisht kanë premtuar se për dy muaj e njëjta do të jetë gati.

Tani për tani, janë vendosur kategoritë në versionin shqip të faqes, megjithatë shumicë e përmbajtjeve janë në gjuhë maqedonase.

Në versionin e ueb-faqes në shqip, nuk janë të përkthyera arkivi dhe biografitë e kryeministrit dhe ministrave. Nga ana tjetër, edhe kumtesat që janë publikuar në versionin e faqes në maqedonisht nuk janë publikuar të gjitha edhe në shqip. Në gjuhën shqipe është i publikuar programi i qeverisë “2017-2020”, por jo edhe programi për punën e qeverisë.

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se po punohet në atë drejtim, megjithatë nuk precizojnë ndonjë afat konkret se kur pritet që të mbarojë.

“Po punohet në atë, e dini se koncepti “një shoqëri” është njëra nga themelet e qeverisë. Në këtë moment, nuk mund të themi datë të saktë, por e njëjta do të realizohet në një të ardhme të afërt”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski për Portalb.mk.

Gjendja është thuajse se e njëjtë edhe me versionin e ueb-faqes në gjuhën angleze, në të cilën, për dallim nga ai në gjuhën shqipe, biografitë e kryeministrit dhe disa ministrave janë edhe në gjuhën angleze.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht. Ashtu siç mund të shihet, ueb-faqja e Kuvendit është tërësisht funksionale, përfshirë këtu arkivin, por edhe kumtesat, të cilat publikohen në kohë reale në katër gjuhë.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 15 ministritë (përfshirë edhe zv/kryeministrat të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 9 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë – maqedonisht, shqip, anglisht, 4 i kanë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, tre i kanë vetëm në maqedonisht, ndërkaq dy i kanë vetëm në maqedonisht dhe shqip.

Zv/kryeministrat

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane – maqedonisht, shqip, anglisht
Zv/kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit – maqedonisht, shqip, anglisht
Zb/kryeministri për Çështje Ekonomike – maqedonisht
Ministritë

Ministria e Mbrojtjes – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Punëve të Brendshme – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Drejtësisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Ekonomisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale – maqedonisht, shqip anglisht
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Bujqësisë – maqedonisht, shqip, anglisht
Ministria e Arsimit dhe Shkencës – maqedonisht, shqip
Ministria e Shëndetësisë – maqedonisht, shqip
Ministria e Punëve të Jashtme – maqedonisht, anglisht
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës – maqedonisht, anglisht
Ministria e Financave – maqedonisht, anglisht
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale – maqedonisht, anglisht
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – maqedonisht
Ministria e Kulturës – maqedonisht
Sa për krahasim, ueb-faqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht ajo e Zyrës së Kryeministrit është në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Ueb-faqja e qeverisë së Serbisë është në: serbisht, anglisht dhe italisht.

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet që së shpejti të hyjë në fuqi, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe).

Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”./portalb.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme