E djathta ekstreme dhe negociatat e vështira të Merkelit për qeverinë

16:25 | 26 Shtator 2017
Arbresh.info

Partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” ka premtuar se do të përdorë programin e saj në parlament që të “rimarrë vendin dhe popullit e saj”, siç dhe janë shprehur udhëheqës të saj.

Kjo parti fitoi rreth 14 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, çka u jep atyre 94 vende në parlament, pjesmarrja e parë dhe më e rëndësishme e së djathtës ekstreme në parlamentin gjerman, që nga Lufta e Dytë Botërore. Kristian-Demokratët e kancelares Merkel fituan numrin më të madh të votave, por pjesëmarrja e tyre në parlament është me e ulta në 70 vite. Pas rizgjedhjes, zonja Merkel ka nisur procesin e vështirë të negociatave me partitë e tjera në përpjekjen për të formuar qeverinë e re. Sipas korrespondentit të “Zërit të Amerikës” në Berlin Henry Ridgwell, procesi mund të kërkojë disa muaj kohë për tu përmbyllur.

Shumë besonin se trazirat e shekullit të 20-të e kishin imunizuar Gjermaninë nga një kthim i një partie të ekstremit të djathtë, por rezultati i së dielës provoi të kundërtën.

Ndërsa partia “Alternativa për Gjermaninë” feston rezultatin, kundërshtarët e tyre organizojnë protesta në rrugë.

Ata druhen se axhenda e kësaj partie kundër emigrantëve ngjan me ngritjen e nazistëve në pushtet.

“Është hera e parë që nga koha e luftës që një parti raciste e neo-naziste është në parlament. Kjo për ne është vërtet shqetësuese dhe u kujton të gjithëve vitin 1933“.

Mes atyre që u shprehën të frikësuar për shkak të rezultatit ishin edhe grupet e hebrejve.

Bashkëkryetari i partisë “Alternativa për Gjermaninë” ka deklaruar më parë se gjermanët duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por dje në një konferencë shtypi ai mohoi që partia të cilën përfaqëson të jetë raciste.

“Fjala “rimarr’ është menduar dhe përdorur simbolikisht. Ne po themi që nuk duam ta humbasin Gjermaninë për shkak të zaptimit nga njerëz apo kultura të huaja”, thotë Alexander Gauland bashkëkryetari i “Alternativa për Gjermaninë”

Sipas analistëve Angela Merkel u ndëshkua gjatë procesit zgjedhor për shkak të vendimit të saj për të lejuar rreth një milion emigrantë në Gjermani në kulmin e krizës në vitin 2015.

“Shumë njerëz që votuan për “Alternativën për Gjermaninë” nuk votuan për këtë parti sepse ndajnë një qëndrim me platformën e saj. Në mënyrë të qartë, ishte një votë proteste“, thotë Tanja A. Borzel pedagoge në universitetin “Berlin Free”.

Suksesi i së djathtës ekstreme e sfumoi fitoren e kancelares Angela Merkel që i dha asaj mandatin e katërt në pushtet.

“Lidhur me ata që votuan “Alternativën për Gjermaninë”, qëllimi ynë është t’i rifitojmë, përmes një politike të mirë dhe zgjidhjes së problemeve“.

Problemi i saj i parë është formimi i një qeverie. Social-Demokratët që dolën të dytët në zgjedhje, e kanë përjashtuar bashkëpunimin kështu që opsioni më i mirë për kancelaren Merkel ka të ngjarë të jetë një koalicion me Liberalët dhe të Gjelbrit. Por që kjo të ndodhë do të kërkojë kohë.

“Do të jetë shumë e vështirë gjetja e një kompromisi për çështje si migrimi dhe refugjatët, por edhe ndryshimet klimatike. Pra sipas të gjitha gjasave negociatat do të jenë të gjata“, thotë Tanja A. Borzel pedagoge në universitetin “Berlin Free”.

Ndërkohë partia “Alternativa për Gjermaninë” tha se do të përdorë platformën e saj të re në parlament që “të përndjekë” Kancelaren Merkel dhe të rimarrë vendin, siç dhe janë shprehur udhëheqësit e saj. /VOA?

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme