Google ADS

Dy ditë nga arratisja e Mijallkovit, asnjë përgjegjësi nga institucionet kompetente

09:08 | 23 Shkurt 2021
A. B.

Ministria e Punëve të Brendshme me urdhër të gjykatës gjatë ditës së djeshme ka lëshuar fletarrest ndërkombëtarë për të akuzuarin e parë në rastin “Shënjestra-Fortesa” dhe ish kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov, i cili që nga dita e diel është i pakapshëm për policinë. Mijallkov u “zhduk” katër ditë para aktvendimit për rastin “Shënjestra-Fortesa”.

“Pasi propozimi është dërguar në fundjavë, Këshilli në korrelacion me dokumentacionin për dyshimin për arratisje, të dorëzuar nga Prokuroria me njoftim deri në Byronë e Sigurisë Publike pranë MPB-së, menjëherë filloi me veprim dhe mori vendim, me të cilin të akuzuarit i caktoi masën e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje 24 orëshe si dhe mbikëqyrje video dhe elektronike kurse në orën 18:30, vendimi tashmë ishte dërguar në MPB, si kompetente për veprim të mëtutjeshëm”.

Tek të shtunën në mbrëmje në ora 23 policia ka njoftuar Prokurorinë se ka dyshime se Mijallkov do të arratiset. Të dielën në orën 15 ka mbërritur kërkesa për arrest shtëpiak. Kërkesa ishte aprovuar, ndërsa Mijalkov ishte vendosur nën video dhe audio mbikëqyrje. Deri në orën 18:45 pasdite, prokuroria ka pasur informata se Mijallkov nuk ka ikur. Atij i humbet çdo gjurmë pas orës 21:47. Prokuroria dyshon se Mijallkov kishte ndihmës dhe e dinte se ndaj tij kishte masë paraburgimi dhe se ai po ndiqet nga policia.

Kreu i Prokurorisë për Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska, në një intervistë për emisionin “360 gradë” në Alsat tregoi se si ka shkuar komunikimi me Ministrinë e Brendshme gjatë ditës së shtunë – një ditë para se të përhapej informacioni se Gjykata kishte miratuar arrestin shtëpiak për ish kreun e DSK-së, Sasho Mijalkov, Ruskovska thotë se ajo mori informata nga burimet e saj se ishte e mundur që Mijallkov të arratisej dhe se ajo personalisht e informoi ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski për këtë.

“Të shtunën, diku pas orës 12.30 pasi mora informacionin se i akuzuari Sasho Mijalkov mund të arratisej, realizova kontakt me ministrin e Brendshëm dhe ai më tha se do të verifikonte informacionin që kisha marrë. Diku pas orës 15.00, tani nuk e di saktësisht, ministri më thirri dhe më kërkoi të shkruaj atë që i thashë në telefon me shkrim dhe t’ia dorëzoja. Unë bëra të njëjtën gjë dhe parashtrova njoftimin, tani nuk e di nëse ishte ora 16.30 apo 17.00, mendoj se nuk është edhe aq e rëndësishme, nuk i kushtova vëmendje kësaj dhe diku pas 10 e gjysmë, dmth 22 e 30, ata më sollën njoftim nga policia, dmth të njëjtin njoftim që i dërgova vetëm me gjeneralë të shtuar të të akuzuarit Mijalkov”.

“Unë thirra drejtorin e policisë, e pyeta nëse kishin kontaktuar me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe nëse kishin ndonjë informacion, dhe drejtori më tha se Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk kishte asnjë informacion në lidhje me arratisjen e Sasho Mijalkovit. Jam dëgjuar gjithashtu me Prokurorin Republikan dhe ai më pyeti, sepse njoftimi më ishte dërguar mua, Ljubomir Joveskit, Lençe Ristovskës dhe Trajce Pelivanovit. Prokurori Republikan më pyeti se sa i besueshëm ishte informacioni për mua, unë thashë se ishin informacione operative nga burimi im personal. Dhe ramë dakord të shiheshim të nesërmen. Pastaj, në komunikim me Prokurorin Publik të Maqedonisë së Veriut, u përpoqa ta gjej atë, të kontaktoj me burimin tim, të pyes se ku është, dmth. sa i besueshëm është informacioni. Kam arritur të dëgjoj prej tij vetëm rreth mesditës dhe tani nuk mund të zbuloj detaje, por në një shkallë nga 1 deri në 10, informacioni ishte rreth 7 “, tha Ruskoska.

Dhe derisa opinioni është i befasuar se si Sasho Mijlakov arriti të ik nga pushteti pas Nikolla Gruevskit, kryeministri Zoran Zaev siguron se nuk ka asnjë marrëveshje politike që Mijallkov të shpëtojë. Ai gjithashtu ishte i zhgënjyer që ish drejtori i policisë sekrete është zhdukur pesë ditë para se ta dëgjonte vendimin për skandalin e përgjimeve të paligjshme. Tani për tani, Zaev nuk do të kërkojë dorëheqje dhe përgjegjësi.

“Do të kërkoj përgjegjësi kur të njoftohemi me detajet. Gjykata lëshoi urdhër për arrest shtëpiak. Nëse nuk gaboj, në orën 18:30 në Byronë e Sigurisë Publike është pranuar urdhri dhe menjëherë është vepruar sipas urdhrit, duhet t’i shohim detajet dhe natyrisht nëse ka ndonjë lëshim, do të kërkoj publikisht përgjegjësi”, tha Zoran Zaev.

Për momentin nuk ka asnjë përgjegjësi për arratisjen e Mijalkovit në strukturat menaxhuese të Ministrisë së Brendshme – Ministër, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, drejtori i ASK-së. Policia në përpjekje për ta gjetur se kush dhe nëse e ka ndihmuar Sasho Mijalkovin, në bisedë informative i ka marrë anëtarët e familjes dhe sigurimin e tij që ishin hija e tij besnike.

 

Të ngjashme