Para 10 vitesh Nikola Gruevski erdhi në pushtet në Maqedoni. Por ajo nga një vend shembullor është shndërruar në një prej shqetësimeve më të mëdha në rajon dhe Evropë.
“Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) ka qenë dikur shembull i afrimit të suksesshëm me Bashkimin Evropian. Ndërkohë që tani po largohet nga kjo rrugë nga dita në ditë. Ajo po e humb besimin e fituar me shumë mund”, thotë për DW, Michael Roth, Sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Vendi me dy milionë banorë konsiderohet si një ndër vendet më të polarizuara në Ballkan. Urrejta mes kundërshtarëve politikë është futur thellë në të gjitha poret e shoqërisë. Lufta e pakompromis për pushtet mes konservatorëve të udhëhequr nga ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe socialdemokratëve të Zoran Zaevit po zgjatë gati tre vjet. Maqedonia që dikur ishte nxënëse shembullore me një demokraci multietnike është shndërruar ndërkohë në një vend që shqetëson thellë BE-në dhe SHBA-në.
Besimi i humbur
Por kjo nuk ishte gjithmonë kështu. Për vite të tëra, në vitet 1990-të, Maqedonia (e cila ka shpallur pavarësinë ne vitin 1991) ka arritur të mbetet jashtë flakës së luftërave në ish-Jugosllavi. Një dekadë më vonë vendi u përfshi në një luftë gjysëmvjeçare mes forcave të sigursë dhe kryengritësve shqitparë, por ajo u tejkalua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE – si vendi i dytë i ish-Jugosllavisë, pas Sllovenisë.
Në takimin e NATO-s në Bukuresht me 2008 erdhi kthesa. Greqia përdori veton kundër pranimit të Maqedonisë në NATO, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth emrit të saj. Mosmarrëveshjet rreth emrit kanë përshkallëzuar dhe nuk janë zgjidhur deri më sot. Greqia nuk e ka pranuar propozimin e Shkupit që ky vend të pranohet në NATO me emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, ndonëse në vitin 1993 ka pranuar që ajo me të njëjtin emër të pranohet OKB. Periudha e fillimit të stanjacionit të Maqedonisë lidhet me kohën e ardhjes në pushtet të partisë OBRM-PDUKM.
Histeria e nacionalistëve
Nikola Gruevski e shfrytëzoi këtë kundërshtim të Greqisë për të ardhur në pushtet. Ai fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare – falë parullave populiste dhe ndjenjave të lënduara tek maqedonasit e frustruar. Për të qetësuar histerinë nacionaliste, Komisioni Evropian ka sugjeruar në vitin 2009 që të hapen negociatat e anëtarësimit në BE. Por vendimi ishte i vonuar, mendojnë ekspertët. “Vetoja e Greqisë e ka dëmtuar në Maqedoni besimin ndaj BE-së. BE-ja nuk e ka ushtruar si duhet presionin për transformimin e duhur të këtij vendi dhe vendosjen e shtetit juridik”, thotë Nikola Dimitrov, ish-ambasador dhe përfaqësues i Maqedonisë në negociatat me Greqinë.
Klima politike u helmua. Sulmet fizike ndaj kundërshtarëve politikë u bënë të përditshme. Ata që mendonin ndryshe etiketoheshin si “tradhëtarë”, ndërsa presioni ndaj gazetarëve u shtua. Korrupsioni, klientelizmi dhe kontrolli i sistemit juridik dhe i mediave – të gjitha këto mund të gjenden edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Gruevski i dyshuar
Gruevski forconte aparatin e pushtetit nga dita në ditë, deri në janar të vitit 2015 kur filluan protestat e udhëhequra nga Zaevi. Qindra mijëra telefonata të përgjuara ilegalisht të politikanëve dhe sipërmarrësve u bënë publike. U zbulua edhe përfshirja e politikanëve në shumë afera korruptive dhe keqpërdorime të pushtetit. Stabiliteti i vendit ishte i mundur vetëm falë angazhimit të BE, SHBA dhe Gjermanisë.
Për zbardhjen e këtyre aferave dhe krimeve u themelua edhe një Prokurori Speciale, e cila ka hapur deri tani 30 procese hetimore. Ndër të dyshuarit dhe akuzuarit janë edhe Gruevski dhe shumë bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Gruevski dhe klika e tij e kanë tani të qartë: në pushtet apo në burg.
Gruevski fitoi në zgjedhjet e parakohshme, në dhjetor të vitit 2016, por ai nuk gjeti ndonjë partner me të cilin do të krijonte qeverinë. Partia shqiptare BDI, e cila ishte në pushtet me Gruevskin tetë vite, vendosi të bëj koalicion me socialdemokratët në opozitë.
Në momentin kur e kuptoi, se e ka humbur shumicën, Gruevski sërish nxori mbi tavolinë letrën e nacionalizmit. Platforma politike e partive shqiptare, e cila deri atëherë për Gruevskin nuk paraqiste ndonjë problem, tani u shndërrua në një problem shumë të madh. Papritur Gruevski e shpalli tani këtë platformë si cënimin më serioz të shtetit maqedonas, me qëllim që të mobilizojë forcat nacionaliste në vend.
Dhuna dhe gjakderdhja e mundshme.
Si pasojë e kësaj propagande erdhi futja e dhunshme e simpatizantëve të Gruevskit në Parlament dhe dhuna e 27 prillit. Përpjekja për të shkaktuar një krizë të re etnike në Maqedoni megjithatë dështoi. Gruevski ka dështuar deri tani në përpjekjet e tij për ngritjen e tendosjeve ndëretnike, falë edhe angazhimit të faktorit ndërkombëtar, që shumë shpejt e vuri gishtin tek fajtori dhe dënoi ashpër dhunën në Parlament.
Por Gruevski edhe më tej ka mundësi që së bashku me mbështetësit e tij të shkaktojë gjakderdhje. Deputeti gjerman në Bundestag, Josip Juratovic, pohon: “Gruevski duhet të vendosë – të përgjigjet para autoriteteve ndaj akuzave për korrupsion, apo të vazhdojë me përpjekjet për tensionimin e gjendjes që më pas mund të rezultojë me akuza ndaj tij për krime lufte.”/DW
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...