Shumica parlamentare e përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit nuk ka arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re, të udhëhequr nga Miograd Llekiq.
Pas një takimi me përfaqësuesit e shumicës parlamentare më 4 janar, Llekiq njoftoi se nuk do të ketë ekzekutiv të ri.
“Kam thënë se ose do të ketë një qeveri serioze, ose nuk do të ketë fare. Nuk do të ketë Qeveri dhe le t’ua lëmë qytetarëve që ta interpretojnë vetë se kush ishte serioz”, tha Llekiq pas takimit, ku pritej të vendosej për Qeverinë e re dhe datën e seancës plenare për zgjedhjen e ekzekutivit.
Paraprakisht, Llekiq kishte njoftuar se Qeveria e re do të formohej më 20 janar.
Më 29 dhjetor, shumica parlamentare i dha Miograd Llekiqit mandatin që të formojë Qeverinë e re, bazuar në ndryshimet kundërthënëse në Ligjin për presidentin.
Sipas këtij ligji, shumica parlamentare tentoi që të merrte kompetencat e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, sepse ai refuzoi që të mandatonte Llekiqin për formimin e ekzekutivit të ri.
Partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të formojë Qeverinë e re bazuar në Ligjin për presidentin, duke paralajmëruar se një ekzekutiv i tillë do të kishte legjitimitet të kontestueshëm.
Pavarësisht kësaj, Miograd Llekiq, insistoi në formimin e Qeverisë.
Një prej liderëve të Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, tha pas takimit të 4 janarit se partitë që janë pjesë e Qeverisë aktuale teknike të Dritan Abazoviqit, nuk kanë paraqitur nënshkrimet për seancën e paraparë plenare, ku do të zgjidhej Qeveria dhe kreu i ri i Parlamentit.
“Ne nuk patëm sukses në atë që nisëm më 1 shtator [pas zgjedhjeve të vitit 2020]. Më vjen keq të them se ne kemi investuar shuamë energji në arritjen e një marrëveshjeje”, tha Mandiq.
Ai tha se kryetarja e Parlamentit të Danjiela Gjuroviq, dhe presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, duhet të pajtohen për të thirrur zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare.
Mandati i Gjukanoviqit mbaron në pranverën e këtij viti.
Në shtator, partitë e shumicës parlamentare refuzuan nismën e presidentit Gjukanoviq për të shpërndarë Parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të reja, me qëllim që të formohej ekzekutivi i ri.
Qeveria e Dritan Abazoviqit është me mandat teknik që nga gushti i vitit të kaluar, pasi ekzekutivit iu votua mocioni i mosbesimit në Parlament.
Mocioni u nxit pas nënshkrimit të Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Qeveria kontrollohet nga partia e Abazoviqit dhe Vlladimir Jokoviqit, i cili ka vetëm nëntë deputetë në Parlament.
Në ekzekutiv po ashtu janë edhe disa parti të minoriteteve.
Shumica parlamentare përbëhet nga partitë që fituan në zgjedhjet e vitit 2020, që mposhtën partinë e Gjukanoviqit, duke e dërguar në opozitë pas tri dekadash.
Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit punoi për 14 muaj, dhe më pas drejtimin e ekzekutivit e mori Abazoviq, që qeverisi për mbi tre muaj para se të ngrihej mocioni i mosbesimit në Parlament./rel/
Rama: Ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, gëzuar Kri...
Luani – Horoskopi vjetor për 2025: Ky është viti kur karrier...
A janë të sigurta mandarinat? Në Elbasan hezitojnë t’i...
Media britanike “Express”: Shqipëria ndër vendet më të mira ...
Mbi 2 milionë e 100 mijë përdorues të telefonisë mobile në K...
Tërmeti me magnitudë 5.7 ballë godet Argjentinën