Në Maqedoninë e Veriut po diskutohet shënimi i përkatësisë etnike në letërnjoftim. Partitë shqiptare në përgjithësi e mbështesin këtë propozim të iniciuar nga Lëvizja Besa.
Lëvizja Besa ka propozuar ndryshimin e ligjit për letërnjoftim, me të cilin do të mundësohet që në letërnjoftime të ekzistojë shënimi i etnisë në mënyrë që krahas shtetësisë, qytetari të mund të deklarojë edhe përkatësin e tij etnike. Lëvizja Besa këtë ide e ka bazuar në marrëveshjen që kishte me LSDM e kryeministrit Zoran Zaev që të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. Nga Lëvizja Besa thonë, se propozimi i saj nuk cënon asnjë etnitet tjetër, në veçanti maqedonasit.
“Realizimi i kësaj iniciative nuk dëmton asnjë subjekt politik dhe etnik. Propozimi është thjesht një realitet shoqëror që Maqedonia e Veriut e ka si një vend shumëetnik”, vlerëson Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa. Propozimin e saj e kanë mbështetur edhe partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë.
VMRO-DPMNE: Përcaktimi i etnisë të vlejë për të gjithë
Partia më e madhe maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE nuk është kundër propozimit që në dokumentin personal të përcaktohet etnia, por kërkon që kjo të vlejë edhe për maqedonasit, të cilët sipas opozitës, në kategorinë e përkatësisë etnike të mund të deklarohen si “maqedonas”, gjë që nuk parashihet në propozimin e Lëvizjes-Besa.
“Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi thotë, se nuk bëhet fjalë për kontestim të identitetit se jemi maqedonas, se flasim maqedonishten e kështu me radhë. Nëse qëndron kështu, atëherë pse në letërnjoftim mos të qëndrojë që unë jam maqedonas? Nëse vlen për të tjerët, kjo duhet të vlejë edhe për mua”, thotë nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski.
Kryeministri Zoran Zaev nuk sheh asnjë problem që në letërnjoftim të ekzistojë shënimi për përkatësinë etnike të qytetarit: “Ne jemi shoqëri multietnike ku krahas shtetësisë maqedonase si qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut qytetarët janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë e serbë. Nuk ekziston ndonjë problem që të kenë të drejtë të përcaktojnë edhe etninë e tyre”, deklaron kryeministri Zaev.
Krmov: Përcaktimi etnik do të institucionalizojë ndarjen
Partia opozitare maqedonase “E Majta” përcaktimin etnik në letërnjoftim e konsideron si nxitës të tensioneve ndëretnike. Sipas deputetit nga rradhët “E Majta” Branisllav Krmov në shumë pak vende të botës në letërnjoftim qëndron edhe përkatësia etnike. Ndaj kjo parti ka ndërhyrë me 1200 amendamende për të penguar miratimin e ligjit.
“Një propozim i tillë forcon ndarjet etnike që tani do të institucionalizohen edhe me ligj nëse kalon në Parlament. Vendosja e shënimit etnik në dokumentet personale nuk është praktikë botërore”, thotë deputeti i së majtës, Branisllav Krmov.
Muhiq: Përcaktimi etnik në letëlrnjoftim, ide e gabuar
Profesori i universitetit të Shkupit Ferid Muhiq vlerëson se ekzistimi i shënimit për etninë e qytetarit në letërnjoftim është një ide e gabuar dhe si e tillë nuk duhet të përkrahet. Kjo sipas tij do të gjenerojë ndarje të reja në shoqëri.
“Në letërnjoftim duhet të ekzistojë vetëm formulimi-qytetar i Maqedonisë së Veriut, kjo mjafton. Pse ka nevojë kur më ndalon polici në automjet ta dijë se a jam unë shqiptar, maqedonas, boshnjak apo serb. Në letërnjoftim ekziston numri i amzës së qytetarit dhe kjo është e mjaftueshme “, thotë Ferid Muhiq.
Analisti politik Sinisha Pekevski është i mendimit se me përcaktimin etnik në letërnjoftim, shteti nuk do të fitojë asgjë përpos ndarjes: “Nëse ne gjithnjë flasim se jemi shoqëri multietnike, në praktikë çdo herë bëjmë hapa të kundërt. Partitë shqiptare nuk mund të lëvdrohen me politika ekonomike, ato ende ushqejnë nacionalizmin. A ka menduar propozuesi se si do të ndjehen ata fëmijë që janë nga martesat e përziera, si do të përcaktohen ata në shënimin etnik?”, thotë analisti Pekevski.
Deri më tani kundër propozimit që në letërnjoftim të ekzistojë përcaktimi etnik janë vetëm dy parti maqedonase Lidhja demokratike e Pavle Trajanovit dhe “E Majta” e Dimitar Apasievit./DW
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...