Në Maqedoninë e Veriut janë publikuar biseda të tjera të përgjuara, ku pretendohet se në këto audio-incizime janë zërat e drejtuesve të dy partive më të mëdha maqedonase, të Zoran Zaevit nga Lidhja Social Demokrate dhe Hristian Mickoski nga OBRM-PDUKM.
Këto biseda u publikuan në kohën kur në opinion ka nisur debati se cila është koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zaev është deklaruar se është që zgjedhjet të mbahen më 14 qershor.
Partitë politike kanë akuzuar njëra-tjetrën lidhur me përmbajtjen e bisedave të përgjuara, megjithëse askush nuk ka treguar se kush i ka bërë këto audio-incizime të jashtëligjshme.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur OBRM-PDUKM-në se nëse e dinë se kush e ka përgjuar kreun e partisë së tyre dhe se nëse kjo parti i ka dërguar këto incizime të jashtëligjshme tek organet e drejtësisë, partia e Mickoskit ka thënë se ata nuk frikësohen nga asnjë lloj incizimi.
“I vetmi që duhet të frikësohet nga audio-incizimet është Zoran Zaevi sepse ai drejtpërsëdrejti është i lidhur me afera korruptive”, thuhet në përgjigjen e OBRM-PDUKM-së.
Ndërkaq, nga Lidhja Social Demokrate po ashtu nuk kanë treguar se kush mendojnë se i ka kryer këto përgjime dhe se nëse të njëjtat i kanë deponuar tek organet e drejtësisë.
Përmes një reagimi me shkrim, socialdemokratët kanë theksuar se “revolta e OBRM-PDUKM-së është aq e madhe, sa që përmes incizimeve të jashtëligjshme ata po konfrontohen brenda tyre dhe pavetëdijshëm po prmovojnë politikat e Zoran Zaevit dhe të LSDM-së”.
Prokurorja Vilma Ruskovska ka bërë të ditur se Prokuroria për Krim të Organizuar nuk mund të nisë hetime për përgjimet e publikuara, pasi sipas saj, përgjegjëse për këtë çështje është Prokuroria e Shkupit.
Ruskovska ka porositur qytetarët që nëse ndonjëri ka njohuri për kryerjen e ndonjë vepre penale, t’i drejtohen organeve të drejtësisë, sepse sipas saj, në të kundërtën ata kryejnë vepër penale.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavel Trajanov, thotë për Radion Evropa e Lirë se krerët e partive politike i përdorin bisedat e përgjuara për qëllime politike.
Sipas tij, publikimi i këtyre përgjimeve do të vazhdojë për aq kohë sa Prokuroria Publike mbetet pasive, ndonëse sipas Trajanov, ajo është e obliguar që të nisë procedurë hetimore në momentin që përgjime të tilla publikohen dhe të zbulojë se kush i ka regjistruar bisedat, ku janë regjistruar dhe kush i ka bërë publike.
“Duhet t’i jepet fund çështjes së bisedave të përgjuara. Kjo mund të arrihet vetëm nëse ashpërsohen dënimet nga prokuroria dhe policia dhe nëse ato reagojnë me kohë që autorët që kanë kryer përgjimet të mbajnë përgjegjësi. Prokuroria Publike mbetet pasive sepse është nën presion, pasi bëhet fjalë për bartës të funksioneve të larta si nga njëra parti, ashtu edhe nga tjetra. Por, mendoj se pas presionit të mediave dhe opinionit, do të reagohet në mënyrë më efikase”, thotë Trajanov.
Njohësit e çështjeve politike thonë se subjektet politike në Maqedoninë e Veriut nuk u përmbahen zotimeve që t’i shmangen fushatës së pistë përmes përgjimeve, sepse siç theksojnë ata, asnjërës palë nuk u mungojnë ofertat serioze që të zgjidhin problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Çështja e parë, sa i përket daljes së këtyre bisedave të përgjuara ka të bëjë me shërbimin sekret maqedonas, i cili nuk është reformuar dhe ka nevojë të reformohet, sepse vazhdimisht ka rrjedhje të informacioneve. Këto informacione janë përdorur për propagandë, kryesisht nga ana e dy partive politike maqedonase. Arsyeja tjetër se pse dalin bisedat e përgjuara unë mendoj se është se këto paraqesin një lloj instrumenti politik për ta mposhtur kundërshtarin në mungesë të argumenteve dhe të rezultateve”, thotë Arsim Sinani njohës i çështjeve politike.
Ndryshe, prokuroria deri më tani ka nisur hetime vetëm ndaj Sheqerim Ahmedit, i njohur me nofkën “El Cheka” i cili ndodhet në SHBA, pasi ka publikuar disa audio- incizime të zyrtarëve të lartë të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...