Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se e mbështetë çdo nismë rajonale që bazohet në rregullat e Bashkimit Evropian dhe që për qëllim ka fuqizimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky koment erdhi pas takimit të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Një zëdhënës i DASH-it nuk ka pranuar të komentoj mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim, por tha se “bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punëtorësh dhe klientësh të arsimuar në zemër të Evropës”.
“Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën evropiane”, tha ky zëdhënës i DASH-it për REL-in.
Në takimin e Ohrit të pranishëm ishin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia të mërkurën nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Edhe pse kishte ftesë për pjesëmarrje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi këtë takim pasi tha se Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Kurti tha se “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019. Ata thanë se ka për qëllim krijimin e një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë