SHKRUAN: Filip Milaçiq
Ndonëse anëtarësimi në BE është qëllim zyrtar i Serbisë, Rusia dhe Kina – e mbase edhe SHBA-ja në të ardhmen – janë duke ofruar diçka shumë më të vlefshme për liderët serbë: shpresën se ndryshimi i kufijve shtetërorë do të jetë sërish i mundur
(Euractiv) – Pandemia e koronavirusit ka qenë ajo që ka shënuar javët e kaluara në Evropë. Rrjedhimisht, rrëfimet rreth ndikimit të pandemisë tek shëndetësia, ekonomia dhe politika kanë dominuar në lajme, arsye kjo se përse një zhvillim i rëndësishëm ka kapërcyer pa bërë bujë.
Midis pandemisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka humbur votëbesimin në parlament.
Sipas medieve, ishte kjo pasojë e kundërshtimit të tij ndaj një marrëveshjeje sekrete midis presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, e cila u ndërmjetësua nga përfaqësuesi special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe që thuhet se përfshin shkëmbim territoresh.
Presidenti Vuçiq, që gjithnjë është mburrur se ka raporte të mira me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka vendosur këtë radhë që të mos përfillë dëshirat e BE-së dhe kancelares Merkel, duke vënë rrjedhimisht në rrezik integrimin evropian të shtetit të tij.
Sidoqoftë, ishte ky një veprim tërësisht i pritur. Ndonëse anëtrësimi në BE është qëllim zyrtar i Politikës së Jashtme të Serbisë, integrimet evropiane të Serbisë do të dështojnë shkaku i këtyre dy arsyeve:
Së pari, anëtarësimi në BE nuk është në interesin politik të presidentit Vuçiq. Konferenca e tij e kohëmëparshme bizare e shtypit, gjatë së cilës ai e kritikoi fuqimisht BE-në dhe e përgëzoi Kinën, ka bërë që shumë njohës ta konsiderojnë pandeminë si kthesë kritike, në të cilën Serbia do ta vendosë shtegun e ardhshëm.
Megjithatë, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit, Serbia nën presidentin Vuçiq tashmë ia ka mësyrë shtegut të autokratizimit dhe duke e përgëzuar Kinën dhe sistemin e saj, ai po fuqizon legjitimitetin e tij politik.
Krahas kësaj, duke e paraqitur BE-në vetjake, presidenti Vuçiq po ashtu po mundohet që ta ulë popullaritetin e BE-së brenda elektoratit serb dhe rrjedhimisht edhe ta dobësojë ndikimin e kritikave të pashmangshme të BE-së ndaj praktikave të tij autoritare.
Së dyti, edhe nëse presidenti Vuçiq do të largohej nga pushteti, ai mbetet pengesë kyçe në integrimin evropian të Serbisë – çështjes shtetërore serbe. Në skenën politike serbe ekziston nocioni i shumë përhapur se çështja shtetërore ende nuk është zgjidhur (kufijtë shtetërorë do të vizatohen sërish).
Rreth asaj çështjeje ekziston marrëveshje e përgjithshme, pra nuk ka dallim midis qëndrimeve të partive në pushtet dhe shumicës së partive opozitare. Një gjë e tillë është duke penguar shtegun evropian të Serbisë shkaku se obligimet e parapara në kuadër të një anëtarësimi potencial në BE bijnë ndesh me synimin e Serbisë për zgjidhjen e çështjes shtetërore.
Serbia duhet të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila sipas të gjitha gjasave do ta nënkuptonte njohjen e saj direkte apo indirekte. Një gjë e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë pasi njohja e Kosovës – në çfarëdo forme – është tejet e jopopullarizuar brenda elektoratit serb.
Shumë sondazhe kanë treguar se prioritizimi i çështjes serbe nuk është vetëm zgjidhje e elitës politike, teksa shumica e qytetarëve serbë po ashtu e ndajnë atë qëndrim.
Për më tepër, ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në çështjet e brendshme të Bosnjës dhe Malit të Zi dhe pretendimet ndaj atyre dy shteteve binë ndesh me njërën prej shtyllave të integrimit në BE – politikat e mira fqinjësore.
Në frymën e viteve nëntëdhjetë, liderët politikë serbe po qasen sikur të ishin përfaqësues të të gjithë serbëve në rajon, e jo vetëm qytetarëve serbë.
Me fjalë tjera, në Serbi, çështja serbe ngulfat integrimet evropiane. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, rishtazi është ankuar për mungesën e billbordeve “Faleminderit BE, për ndihmat që na ke ofruar”. Deri më tani, ky nder i është rezervuar vetëm Kinës dhe Rusisë.
BE-ja mund ta dyfishojë ndihmën financiare të saj, por do të vazhdojë të mos “meritojë” bilbordet mirënjohëse nëpër rrugët e Beogradit, pasi qe Rusia dhe Kina – e mbase edhe SHBA-ja në të ardhmen – po ofrojnë diçka shumë më të çmueshme për liderët serbë: shpresën se vizatimi i kufijve shtetërorë do të jetë sërish i mundur.
Kjo e sqaron se përse presidenti Vuçiq rrezikon të armiqësojë kancelaren gjermane, Merkel dhe Brukselin, duke arritur marrëveshje sekrete me presidentin e Kosovës, Thaçin, të sponsorizuar nga Grenelli.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka përsëritur disa herë se administrata aktuale amerikane është më pranuese e vizionit të Serbisë për të ardhmen e Ballkanit, sesa ato të mëparshmet dhe se Serbia duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi.
Prioritetet e Serbisë janë këto, e jo reformat që do ta afronin anëtarësimin në BE. Ka ardhur koha që BE-ja ta pranojë këtë.
(Autori është këshilltar për çështje politike në misionin e OSBE-së në Malin e Zi. Vështrimet e shprehura në Euractiv janë të tijat dhe nuk pasqyrojnë vështrimet e OSBE-së)
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...