Kancelari gjerman, për habinë e shumë njerëzve, po udhëton drejt Beogradit. Pritet nënshkrimi i një kontrate me rëndësi. Sa do të përfitojë Serbia?
Publiku gjerman u befasua disi kur të mërkurën në mëngjes, zëdhënësi i qeverisë federale, Steffen Hebestreit, njoftoi se kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në fund të kësaj jave në Beograd. Njoftimet e tilla afatshkurtra të udhëtimeve ndërkombëtare të kancelarit janë shumë të pazakonta, udhëtimet dhe aktivitetet koordinohen me javë përpara udhëtimit.
Arsyeja e vërtetë e vizitës së Scholzit
Në njoftim thuhet se Scholz do të diskutojë për “marrëdhëniet dypalëshe” me Aleksandar Vuçiqin, si dhe për çështje që lidhen me “politikën evropiane dhe ndërkombëtare”. Pra, informacionet janë shumë të përgjithshme. Asnjë fjalë për ftohjen e fundit të marrëdhënieve mes Berlinit dhe Beogradit për shkak të rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, e cila u iniciua kryesisht nga Gjermania dhe që i shërbeu Vuçiqit për sulmet e shumta ndaj Berlinit, të cilat shkuan aq larg sa u fol për një “paradoks”. Vuçiqi dhe Serbia thoshin madje se është tepër paradoksale që Gjermania flet për gjenocid, “pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”.
Në raportet mes tyre ka probleme të mëdha edhe për shkak të procesit të ngrirë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk po shkon mirë, pavarësisht angazhimit të Gjermanisë. E ka dhe tema të tjera shumë të diskutueshme, siç është raporti i Serbisë me Rusinë.
Megjithatë kjo vizitë e papritur tregon se Beogradi dhe Berlini nuk duan të gërmojnë në plagët e hapura, por duan të flasin për raportet dypalëshe.
“Të dy shtetarët, pas bisedimeve dypalëshe, do të marrin pjesë në ‘Samitin kritik të lëndëve të para’. Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, si dhe përfaqësues të ekonomisë. Si pjesë e samitit, Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik në lidhje me lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri për makinat elektrike,” u bë e ditur. Konferenca në Beograd u emërua zyrtarisht me emrin “Serbia, roli i saj në të ardhmen e gjelbër të botës.”
Kuban: „Serbia zgjidh problemet“
Të pyetur nga DW, përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Bundestag kanë reagime të ndryshme ndaj lajmit për udhëtimin e paralajmëruar afatshkurtër të Scholzit në Beograd, me qëllim sigurimin e lëndëve të para të rëndësishme. Përfaqësuesi i grupit parlamentar të Demokristianëve (CDU/CSU) për Serbinë, Tilman Kuban, i cili së fundmi vizitoi Beogradin, është i kënaqur me këtë iniciativë. Si përfaqësues i opozitës parlamentare, ai padyshim që kritikoi kancelarin gjerman, sepse, thotë ai, “i ka injoruar për një kohë të gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor”. Por ai shton se është mirë që tani po merr sërish iniciativën “në interes të ekonomisë gjermane”.
“Me këtë projekt Serbia tregon se dëshiron t’i zgjidhë problemet në Evropë, jo t’i krijojë ato. Kushdo që dëshiron të zgjerojë përdorimin e resurseve të rinovueshme të energjisë dhe më shumë elektromobilitet, nuk duhet të pengojë shfrytëzimin e litiumit. Sepse ne evropianët mund të afirmojmë veten në konkurrencën gjeopolitike vetëm me lëndët tona të para”, theksoi Kuban për DW.
Juratoviq: Vuçiq do ta shesë marrëveshjen si fitore ndaj Gjermanisë
Anëtari i komisionit parlamentar për çështjet evropiane të Partisë liberale (FDP) Thomas Hacker është më pak euforik se kolegu i tij kristiandemokrat. “Ne do të monitorojmë me kujdes udhëtimin e planifikuar të kancelarit Scholz në Serbi. Në të kaluarën, presidenti Vuçiq vazhdimisht u paraqit si partner i zotit Orban dhe zotit Putin, duke rrezikuar kështu afrimin e qëndrueshëm me Bashkimin Evropian”, tha Hacker për DW.
Ai vuri në dukje përkeqësimin e situatës me gjendjen e demokracisë në Serbi, si dhe procesin e ngrirë të afrimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Kancelari duhet t’i trajtojë qartë këto çështje gjatë udhëtimit të tij. Bashkëpunimi i rëndësishëm ekonomik nuk guxon ta lërë në hije bashkëpunimin politik”, ka përfunduar përfaqësuesi i FDP-së, partia në pushtet e cila normalisht shihet si mbrojtëse e interesave të ekonomisë.
Më kritikuesi i udhëtimit të Scholz në Beograd është Josip Juratoviq, një deputet i vjetër i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në pushtet dhe një njohës i situatës në Evropën Juglindore. “Vuçiq me gjasë do ta shesë këtë marrëveshje në Serbi, sipas modës së vjetër, si fitoren e tij të madhe politike ndaj Gjermanisë. Në realitet, megjithatë, është turp për politikën e tij në Serbi që për të shmangur presionin nga rruga, ai duhet të sigurojë standarde nga jashtë”, tha Juratoviq në një deklaratë që u raportua edhe nga media të tjera.
Juratoviq beson se për këtë shpejtësi në marrjen e iniciativës duhet falënderuar fakti që Vuçiq tashmë “i ka futur kinezët në lojë”. “Është e qartë se BE-ja nuk mund ta lërë shfrytëzimin e litiumit në Serbi në standardet kineze. Për të garantuar vende pune në Gjermani dhe BE, dhe në të njëjtën kohë për të arritur qëllimet klimatike që i kemi vendosur vetes, ne duhet të sigurojmë burime jashtë BE-së, por në të njëjtat kushte ekologjike dhe sociale”, përfundoi Juratoviq.
Traktati i Litiumit – një hap i rëndësishëm në afrimin me BE-në
Mediat gjermane shkruajnë se kancelari gjerman po udhëton drejt “mikut të Putinit dhe Orbanit”, i cili kohët e fundit është “pak a shumë i izoluar ndërkombëtarisht” pikërisht për shkak të miqësisë së hapur me kundërshtarët e deklaruar të BE-së. Por për përfaqësuesit e ekonomisë, me rëndësi është se me çfarë do të kthehet Scholz në shtëpi: kontrata për furnizimin e lëndës së parë më të rëndësishme për industrinë e automjeteve që për momentin është në vështirësi.
Matthias Wechter, drejtor i departamentit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Shoqatës Gjermane të Industrialistëve (BDI), beson se nënshkrimi i një marrëveshjeje për lëndët e para ndërmjet BE-së dhe Serbisë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt qëllimit të diversifikimit të industrisë gjermane dhe evropiane. Ai citon të dhënat (të mbështetura nga kompania Rio Tinto) që çdo vit mund të shfrytëzohen 58.000 tonë litium në luginën e Jadrës, që do të mbulonte 17 për qind të nevojave evropiane.
Vechter konkretisht thekson pse marrëveshja me Serbinë do të ishte një plus i madh për industrinë evropiane, mbi të gjitha, automobilistike. “Deri më tani, industria gjermane ka blerë litium, i cili është i rëndësishëm për bateritë, kryesisht nga Amerika e Jugut dhe Australia. Problemi qendror është varësia nga Kina për përpunimin e mëtejshëm të litiumit. Në këtë kontekst, është shumë e mirëseardhur që një pjesë e madhe e përpunimit të mëtejshëm të bëhet drejtpërdrejt në Serbi, dhe për rrjedhojë në Evropë”.
Një nga drejtuesit e BDI beson se Serbia mund të përfitojë edhe politikisht nga kjo marrëveshje ekonomike. “Do të ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi në fushën e lëndëve të para do të ishte një sinjal i fortë”, përfundon Vechter.
Anja Quiring, drejtoreshë e Departamentit për Evropën Juglindore në Komitetin Ekonomik Gjerman për Evropën Lindore (Ost Ausschuss), në një intervistë për DW, shpreh shpresën se kancelari do ta shfrytëzojë këtë vizitë për thellimin e marrëdhënieve politike dhe përshpejtimin e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian, pra se do të jetë një lloj përgatitjeje për samitin e Procesit të Berlinit.
“Ne supozojmë se kancelari do të përgatisë gjithashtu një samit në bisedimet e tij në Beograd dhe mbi të gjitha do të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik,” thotë Quiring. Ajo shtoi se përveç marrëdhënieve dypalëshe, është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet vendeve të rajonit dhe kjo është diçka për të cilën Procesi i Berlinit po punon për dhjetë vjet.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Handelsblat”, Vuçiq tha se Kina nuk do të ketë qasje në litiumin serb. “Ne i jemi besnikë Evropës”, tha presidenti i Serbisë.
Kancelari Scholz ka treguar tashmë një herë, disa javë më parë, se është gati të kapërcejë hijen e tij dhe të pranojë bisedimet me politikanë të diskutueshëm kur bëhet fjalë për sigurimin e litiumit për industrinë e automjeteve. Së fundi ai priti në Berlin edhe presidentin e ri të Argjentinës, Javier Milea. Si Argjentina ashtu edhe Serbia kanë depozita të mëdha të këtij metali të çmuar.
Situata energjetike në Kosovë, Rizvanolli takon sot përfaqës...
Osmani pret në takim lamtumirës Ambasadorin Hovenier
Parashikimi i motit për të premten
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit