Çdo të tretën ditë një banor heq dorë nga shtetësia e Maqedonisë

10:36 | 21 Maj 2017
Arbresh.info
Shifra shqetësuese po dalin nga evidencat e Drejtoria për udhëheqjen e librave amëz në qytetin e Gostivarit. Mesatarisht, çdo të tretën ditë një banor i Gostivarit vendos të braktis shtetësinë e Maqedonisë, duke marrë shtetësinë e shtetit ku jeton dhe vepron, shkruan gazeta KOHA.
Mërgimtarët e rajonit të Gostivarit, të cilët janë me punë të përkohshme në vendet perëndimore, me të madhe ndërrojnë shtetësinë e tyre. Lënë atë të vendlindjes dhe me automatizëm bëhen shtetas të vendit ku janë duke jetuar dhe punuar në vendet evropiane.

Nga fillimi i këtij viti e deri më sot, 60 vendime pozitive janë sjellë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, e që gostivarasit nga shtetas të Maqedonisë janë bërë shtetas të huaj. Më shpesh shtetas të Austrisë dhe Gjermanisë, dy vende evropiane këto të cilët nuk lejojnë të mbahen dy shtetësi.

Nijazi Asani, shef i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar, thekson se mesin e këtyre personave të cilët kërkojnë ta lënë shtetësinë e Maqedonisë, pos të rinjve, i madh është edhe numri i më të moshuarve, gjë e cila nuk ka ndodhur viteve tjera.

Heqja dorë nga shtetësia, është bërë dukuri në rritje në Republikën e Maqedonisë. Vetëm gjatë vitit 2015 në rajonin e Pollogut zyrtarisht kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Maqedonisë gati 456 persona. Deri te ky vendim, shumica e mërgimtarëve dhe kryesisht gjeneratave të reja që lindin atje, kanë ardhur për shkak se shumica e shteteve ku jetojnë dhe veprojnë nuk lejojnë shtetësinë e dyfishtë.

Ekspertët thonë se heqja dorë nga shtetësia që paraqet dokument zyrtar me të cilin përcaktohet përkatësia shtetërore e individit, njëkohësisht paraqet edhe heqje dorë nga të drejta e siguruar me kushtetutën e një vendi, siç është gëzimi i të drejtave politike, ushtrimi i shërbimit ushtarak, gëzimi i mbrojtjes shtetërore për qytetaret jashtë shtetit, mbrojtjen e vendit, të drejtën e ekstradimit e tjerë.

Çështja e shtetësisë është e rregulluar me konventën e Hagës 1930, konventën e tetë mbi shkëmbimin e informacionit mbi përfitimin e shtetësisë të vitit 1964, konventën për uljen e rasteve të shtetësisë së shumëfishtë dhe detyrimeve ushtarake në rast dyshtetësie të vitit 1963, si dhe konventës evropiane mbi shtetësinë të vitit 1997.

Çdo shtet ka rregullat e veta, sepse edhe konventat kanë trajtim të ndryshëm për çështje të njëjta. Ai vë në dukje se Gjermani, pas ndryshimeve të ligjit për shtetësi, të rinjtë të cilët kanë lindur dhe kanë kaluar gjithë jetën e tyre në këtë shtet u lejohet shtetësia e dyfishtë por duke plotësuar disa kritere. Para ndryshimeve ligjore të vitit 2014, ato duhej të hiqnin dorë nga njëra shtetësi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme