Google ADS

Bushati: Kërkojmë përgjegjësi nga Maqedonia për urrejtjen ndaj shqiptarëve

11:33 | 17 Mars 2018
Arbresh.info

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati i ka kërkuar instititucioneve në Maqedoni që të reagojnë për grafitet ofenduese që kërkojnë vdekjen e shqiptarëve që para disa ditëve u gjetën tek objekti i Institutit për Trashigimi Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Në reagimin e Bushatit thuhet “Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.”

”Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politikës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni.”

”Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin” përfundon kumtesa e Bushatit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme