Bujqësia pa trashëgimtarë, të rinjtë të pa interesuar

21:16 | 23 Janar 2019
A. B.

Bujqësia në Maqedoni plaket, ndërsa mosha mesatare e fermerëve është 59-vjeç. Të rinjtë ikin jashtë shtetit apo shpërngulen nga vendbanimet rurale në vendbanimet urbane, derisa pjesa më vitale e popullatës nuk është e interesuar për tu marrë me përpunimin e tokës. Interesimin e ulët të të rinjve për bujqësi e konfirmojnë edhe hulumtimi i fundit i Shoqatës së qytetarëve për bujqësi, shkruan gazeta KOHA.

“Më shumë se gjysma apo 55.6 për qind e të anketuarve vlerësojnë se marrja me bujqësi paguhet pjesërisht, ndërsa 22 për qind janë përgjigjur se ajo nuk shpaguhet. Bile, 89 për qind e të anketuarve vlerësojnë se po ulet numri i bujqve më të ri se 40-vjeç, ndërsa vetëm 11 për qind janë përgjigjur se rritet ky numër”, tregon hulumtimi.

Njëherazi, në Maqedoni vite me radhë shënohet edhe ulja e numrit të bagëtisë dhe tokës punuese bujqësore. Vlerësohet se puna e rëndë fizike, si dhe të ardhurat e vogla, problemet me plasmanin apo shitjen e sigurt, kostoja e lartë e punës që shpesh nuk i mbulon as harxhimet, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimi i kontratave për shitblerje, si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluara, janë shkaqet kryesore pse ulet në vazhdimësi interesimi i të rinjve për tu marrë me bujqësi dhe me blegtori.

“Edhe në bujqësi fillon të ndjehet mungesa e fuqisë punëtore. Jo vetëm që nuk ka kush të vazhdojë punën tonë, por mungojnë edhe punëtorët për më shumë punë në fushë. Në kultivimin e dhenve, për shembull, edhe pse ofrohen paga edhe deri në 700 euro, nuk mund të gjeni barinj. Kemi edhe ikjen jashtë të punëtorëve që në vend të angazhohen në bujqësi apo industri, por ikin jashtë shtetit”, thotë Eftim Shaklev, kryetar i Asociacionit të Bujqve.

Agronomët thonë se nevojitet të edukohen, trajnohen dhe mbështeten edhe më shumë të rinjtë në më shumë aspekte, me qëllim të shohin këtë degë ekonomike si mundësi të mirë për investime, duke u fokusuar tek prodhimet që kërkohen në treg. “Para se të pranohet ideja për një prodhimtari të caktuar bujqësore, nevojitet që kjo ide të analizohet sa shpaguhet nga ana ekonomike, të kalkulohen harxhimet, si dhe të dihet përafërsisht sa do të jetë fitimi qoftë për prodhimtari të ushqimit organik, prodhim të mjaltit të brenduar etj. Pas analizave serioze, hulumtimit të tregut dhe konsultimeve me bujq më të vjetër dhe me ekspertë bujqësor, ia vlen të mendohet për biznes planin, si dhe të konkretizohen gjërat më detajisht”, thotë agronomët.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se janë angazhuar të krijojnë kushte edhe për fermerët e rinj si nëpërmjet shfrytëzimit më të madh të mjeteve IPARD, por edhe shpalljeve për ndarjen e 10 mijë eurove të pakthyeshme për të rinjtë e papunë që do të merren me bujqësi, ku në thirrjet e fundit për ndarjen e këtyre mjeteve kishte më shumë se 1000 aplikime apo dyfish më shumë se një vit më parë, ndërsa interesim nga të rinjtë ekziston edhe për ndarjen e tokës shtetërore. Në vitin 2017, mbi 424 bujk më të rinj se 40-vjeç fituan mjete të pakthyeshme prej 10 mijë eurove, ndërsa mjetet u ndanë kryesisht për mekanizim bujqësor dhe investimet në kapacitetet prodhuese. Ndërmerren dhe planifikohen edhe masa tjera për të mbështetur fermerët e rinj.

Ndryshe, bashkimi në kooperativa mbetet e vetmja perspektivë e bujqësisë në Maqedoni me parcela të shpërndara dhe të imëta që nuk mund të prodhojnë sasi më të mëdha të prodhimeve cilësore dhe konkurruese të prodhimeve bujqësore që do të shiten në tregjet e rajonit dhe më gjerë. Aktualisht, bujqësia në Maqedoni në vend të një dege ekonomike me potencial më të madh për punësim, prurjeve devizore më të mëdha nga eksporti, në një pjesë të madhe është veprimtari ekonomike që zgjedh problemet sociale dhe ekzistenciale të një pjesë të konsiderueshme të popullatës. Nevojën e rritjes së numrit të kooperativave në më shumë se dyzet, e imponojnë edhe shifrat statistikore që tregojnë se nga 180 mijë ekonomi bujqësore bile 99 për qind janë bujk individual me nga dy hektarë tokë dhe dy lopë që ju pamundëson të imponohen në treg me sasi dhe cilësi, karshi tregtarëve dhe industrisë përpunuese./koha.mk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme