Këshilli i Sigurimit të OKB mbajti këtë javë një debat virtual për Bosnjë-Hercegovinën. Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko, foli mbi procesin e zbatimit të paqes në BH në periudhën 16 tetor – 15 prill.
Duke folur për gjendjen e përgjithshme politike Valentin Inzko, thotë se liderët politikë dhe institucionalë në BH kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar në luftimin e pandemisë, por edhe kanë vazhduar retorikat përçarëse. Për shkak të moszgjedhjes së qeverisë federale, kur mbërriti pandemia vendi ka qenë pa buxhet të miratuar. „Bllokimi i marrjes së vendimeve në nivel shtetëror pritet të vazhdojë deri në fund të krizës,“ thotë Valentin Inzko, Përfaqësuesi i Lartë për BH që nga 2009. Ai tregon se „gjatë kësaj periudhe autoritetet e Republika Srpskas kanë intensifikuar retorikën dhe kanë vepruar duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të BH, kompetencat dhe institucionet në nivel shtetëror“. Autoritetet e Republika Srpskas e shohin BH si një bashkim shtetesh me sovranitet të kufizuar dhe të varur, një interpretim që përdoret nga serbët si bazë për të kërkuar të drejtën për vetëvendosje, dhe për ta parë Republika Srpskan si shtet të serbëve. Ata kërkojnë „Dejtonin origjinal“, duke sabotuar institucionet në nivel shtetëror, thotë austriaku Valentin Inzko, duke shtuar se Federata vazhdon të mos funksionojë dhe se asnjë hap nuk është ndërmarrë në krijimin e qeverisë federale pas zgjedhjeve të 2018.
Përfaqësuesi i Lartë quan korrupsionin dhe mungesën e ligjit, pandemitë e vërteta në BH. Sa i përket sistemit të drejtësisë „ndalimi i korrupsionit dhe trajtimi i krimit të organizuar mbetet një çështje që shkakton pakënaqësi të madh të publikut“, thotë përfaqësuesi Inzko. Në këtë periudhë gjashtëmujore, rrymat e migrantëve që kalojnë trazit për në BE kanë vazhduar por me intensitet më të ulët. Në BH ndodhen aktualisht midis 6500 dhe 8000 migrantë, të gjithë të akomoduar në Federatë, sepse Republika Srpska nuk pranon të mbajë refugjatë.
Ripajtim 25 vjet pas Srebrenicës
Për ambasadorin gjerman Christoph Heusgen, “shumë i rëndësishëm është ripajtimi në një kohë kur edhe 25 vjet pas Srebrenicës, librat dhe tekstet shkollore janë ende të ndara”. 500 mijë të rinj janë larguar nga vendi, për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga moszhvillimi i zgjedhjeve, nga mosmarrëveshjet politike, nga korrupsioni dhe mungesa e ligjit, dhe „kjo është një gjë me të cilën ne duhet të merremi, thotë ambasadori gjerman, duke premtuar mbështetjen e Gjermanisë dhe BE.
Ambasadorja amerikane Kelly Craft, thotë se “udhëheqësit e BH duhet të bëjnë hapa përpara për ripajtimin politik, duhet të zbatojnë reformat përfshirë qëndrueshmërinë fiskale, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. “SHBA dënon me forcë përpjekjet e bëra nga aktorët keqdashës për të përçarë politikisht BH për përfitime personale, politike dhe financiare,” tha zonja Craft.
Ambasadori rus, Vassily Nebenzia, shprehu pakënaqësinë që raporti i Përfaqësuesit të Lartë “nuk është përmirësuar”. “Ne na vjen keq kur shohim se kritizimi i serbëve të Bosnjës për çdo gjë që ndodh në BH është kthyer në model standart në këto raporte”, tha ai, duke e quajtur raportin si të pabalancuar në pasqyrimin e situates në bazë. Vassily Nebenzia i kërkoi Përfaqësuesit të Lartë të nxisë dialogun. “Ka ikur koha e qeverisjeve nga jashtë. Boshnjakët meritojnë të kenë të drejtën që të vendosin vetë për fatin e tyre,” tha ambasadori rus pranë OKB. Ai vazhdoi edhe më tej të kritikonte Përfaqësuesin e Lartë për promovimin e integrimit të BH në Europë apo institucionet euroatlantike. Ai shprehu mbështetje për Kommisionin e pavarur ndërkombëtar të emëruar nga Republika Srpska për të hetuar krimet në Srebrenicë dhe në Sarajevë gjatë viteve 91-95. “Dokumentat e arkivave të Mbretërisë së Bashkuar të bëra publike në janar na japin detaje të rëndësishme për ngjarjet e zhvilluara gjatë konfliktit të armatosur në Srebrenicë,“ tha ai. Sipas tij ato tregojnë se serbët e Bosnjës kanë qenë subjekte sulmesh, prandaj kërkon hetime nga Komisioni i Pavarur i Republika Srpskas.
Gjykimet për krimet bëhen në Gjykatën Ndërkombëtare
Lidhur me këtë çështjen e arkivave të Mbretërisë së Bashkuar, David Clay, koordinator politik tha gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin e Sigurimit se Mbretëria e Bashkuar ka nxjerrë për përdorim publik dokumenta që kanë lidhje me BH 25 vjet më parë, “si pjesë e angazhimit për transparencë”. “Sipas qëndrimit që ka Mbretëria e Bashkuar “genocidi i Srebrenisë është i pashoq. Gjykimi për atë që ka ndodhur në Srebrenicë dhe diku tjetër duhet bërë në Gjykatën Ndërkombëtare”, tha David Clay. Ai mendon se marrëveshja e 28 prillit, që premton zbatimin e rekomandimeve të BE për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike dhe zbatimin e ligjit, tregojnë se Bosnjë Hercegovina mund të eci përpara në një të ardhme positive.
Në emër të Francës, foli Wadid Benaabou, zëvendëskoordinator politik, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Francës për perspektivën europiane të BH dhe Ballkanit Perëndimor. “BE mbetet shumë e angazhuar sa i përket kësaj çështjeje, siç u pa edhe gjatë video-konferencës të liderve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha ai. Benaabou tha se Franca dënon me forcë glorifikimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës, pavarësisht nga origjina që kanë. “Drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare ka bërë punë të jashtëzakonshme në gjykimin dhe dënimin e përgjegjësve të krimeve të bëra gjatë konfliktit. Është e papranueshme të sfidohen vendimet e drejtësisë,” tha Wadid Benaabou.
Sulmohet nga forcat ruse edhe ambasada e Maqedonisë së Veriu...
Qeveria amerikane rrezikon mbyllje të pjesshme në mesnatë
Dy persona kanë qëlluar në drejtim të policisë në Dibër
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, deri në 40 minuta pritje te ...
Abdixhiku takon 150 bizneset më të mëdha në Kosovë
Ambasada e Shqipërisë në Kiev dëmtohet nga sulmet ruse