Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla – arsenal që më 24 shtator është përdorur në një sulm kundër policisë së Kosovës në Banjskë.
Në atë sulm ka mbetur i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha Boris Grubeshiq, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës, për Radion Evropa e Lirë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka bërë të ditur se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i këtij viti deri më 24 shtator.
Prokuroria e Beogradit ka saktësuar se armët i janë dorëzuar atij në territorin e Beogradit, “më së shpeshti në rrugën Bubanj Potok – Vërçin”, në juglindje të kryeqytetit të Serbisë.
Në deklaratë është thënë se armët, më pas, i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, i hodhi poshtë akuzat nga Serbia.
“Gjatë të gjitha kontrolleve, operative dhe inteligjente, lidhur me ato pretendime, është konstatuar se të gjitha janë të pavërteta”, tha Isak për Radion Evropa e Lirë.
Përveç policisë së këtij entiteti, në hetime kanë marrë pjesë edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), ndërsa autoritetet në Bosnje kanë kërkuar edhe ndihmën e agjencisë ndërkombëtare të policisë, Interpol.
Prokuroria e Beogradit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka prova se armët janë siguruar me të vërtetë nga Tuzlla dhe kush e ka ndihmuar Radoiçiqin në transport.
REL-i nuk mori përgjigje as në pyetjen nëse autoriteteve në Bosnje dhe Hercegovinë u është kërkuar t’i verifikonin pretendimet se armët janë siguruar nga Tuzlla.
Pas sulmit në Banjskë të komunës së Zveçanit, policia e Kosovës ka ekspozuar një arsenal të madh armësh të konfiskuar.
Mes tjerash ka pasur raketahedhës, granatahedhës, pushkë automatike, snajperë, automjete ushtarake, eksplozivë dhe detonatorë, mina kundër tankeve dhe kundër personelit e të ngjashme.
Shumica e armëve kanë qenë të prodhuara në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.
Institucionet në Kosovë dhe Serbi janë duke zhvilluar hetime të ndara për këtë rast.
Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për incidentin në Banjskë, ndërsa Beogradi zyrtar e mohon përfshirjen.
Përmes një letre publike më 29 shtator, Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të Listës Serbe dhe ka pranuar se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai e ka mohuar përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë, si dhe ka mohuar fajësinë për veprat me të cilat e ka ngarkuar Prokuroria e Beogradit, përkatësisht për sigurimin e paligjshëm të armëve nga Bosnje dhe Hercegovina.
Më 4 tetor, pas seancës gjyqësore, Radoiçiq është liruar dhe i janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...