Kuvendi deri në fund të vitit nuk mund të zgjedhë dhe as nuk do të shkarkojë funksionarë të zgjedhur nga legjislativi. Deri në votimin përfundimtar të buxhetit për vitin 2022, të cilin deputetët pritet ta miratojnë deri më 5 dhjetor – të gjitha proceset e tjera që duhet të votohen në seancë plenare janë ngrirë. I tillë është rasti me Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, i cili mbeti pa kryetar, pasi deputeti nga radhët e LSDM-së, Kostadin Kostadinov u bë kryetar i Komunës së Strumicës, me këtë i përfunduan të gjitha detyrat parlamentare. Për të funksionuar ky komision, i cili emëron, zgjedh dhe shkarkon funksionarë, pasardhësi i Kostadinovit duhet të zgjidhet në seancë plenare, e cila mund të thirret pas votimit të buxhetit.
“Së pari duhet të ndërrohet udhëheqja, por edhe në të gjitha organet punuese me deputetët e rinj. Më pas do të vazhdojë puna e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime me detyrat që i ka, si dhe të gjitha komisioneve të tjera. Nuk pres që kjo të ndodhë përpara seancës së re të ardhshme plenare”, deklaroi Jovan Mitreski – koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Ky pezullim i funksionimit të Kuvendit vjen pas zgjedhjeve lokale, në të cilat 6 deputetë u zgjodhën kryetarë komunash. Dhe pikërisht Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime duhet të konfirmojë dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë Arianit Hoxha, si dhe të dy zëvendësministrave të tjerë nga radhët e BESA-s. Gjithashtu, ky komision parlamentar duhet të propozojë gjykatësit kushtetues para deputetëve në seancë plenare, për të kompletuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e kësaj gjykate, Dobrila Kacarska në bisedë telefonike për Alsat thotë se edhe një gjykatësi tjetër kushtetues i mbaron mandati.
“Nevojitet që Kuvendi të zgjedhë katër gjykatës kushtetues, sepse më 14 janar i skadon mandati gjykatësit Jovan Josifovski . Gjykata Kushtetuese do të reduktohet në pesë gjykatës. Në përbërje të tillë do të kemi shumicën, por nuk do të mund të marrim vendim, nëse një gjykatës voton ndryshe. Me pesë gjykatës kushtetues, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund të marrë vendime, që votohen me shumicë prej dy të tretash”, u shpreh Dobrila Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese aktualisht punon me gjashtë gjykatës dhe vitin e ardhshëm nëse nuk zgjidhen gjykatës të rinj kushtetues, do të punojë vetëm me pesë. Kushtetuesja duhet të vendosë për ligjshmërinë e Ligjit për Korridoret 8 dhe 10, autostradat e të cilit do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel – Enka”, kompani që në vend që të zgjidhet me tender, deputetët miratuan një ligj të posaçëm, që lejon ata të ndërtojnë. Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit, me iniciativën e dorëzuar në Kushtetuese, ka kërkuar nga gjykata që të marrë masë të përkohshme për ndalimin e këtij Ligji, deri në pronocimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjykatësi Kushtetues tashmë ka përgatitur raportin për këtë rast, i cili së shpejti do t’i prezantojë pretendimet në të, në një nga seancat e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese, ku gjykatësit do të diskutojnë dhe vlerësojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për ndërtimin e korridoreve, përkatësisht autostradave./Alsat/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...