Google ADS

Bllokada bullgare, Dimitrov: Gjuha maqedonase, e barabartë në BE

18:41 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

Në kohën kur Sofja bllokoi fillimin e negociatave mes Shkupit e BE-së për shkak të dallimeve rreth popullit dhe gjuhës maqedonase, Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov elaboroi politikat gjuhësore të BE-së, duke thënë se gjuha maqedonase do të bëhet gjuhë zyrtare e Unionit në momentin që vendi të bëhet anëtare e plotë e saj.

Dimitrov shtoi se si vend kandidat, Maqedonia e Veriut e ka për obligim ta përkthejë legjislacionin evropian në gjuhën maqedonase dhe kjo gjë është një nga elementet e kritereve të Kopenhagës.

“Gjuhët mund të shërbejnë si urë mes popujve, duke promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe ndjenjën e identitetit të përbashkët evropian. BE ka krijuar frymë evropiane të bashkësisë dhe unitetit. Ky është Unioni drejt të cilit synojmë, këto janë vlerat dhe parimet që edhe vetë duhet t’i praktikojmë, jetësojmë dhe t’i inkurajojmë, që sa më parë të bëhemi pjesë e vërtetë e kësaj bashkësie- deklaroi Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane

Në një konferencë të organizuar nga Asociacioni i përkthyesve të Maqedonisë së Veriut, ambasadori i BE-së, Dejvid Gir nuk foli për bllokadën bullgare por theksoi se shumë-llojshmëria gjuhësore është e inkorporuar në të drejtën evropiane.

“Në Evropë shumë-llojshmëria gjuhësore janë pjesë e jetës së përditshme. Kjo shumëllojshmëri është burim i fuqisë dhe pasurisë. BE ka rreth 450 milion qytetarë, 27 shtete anëtare, 3 alfabete dhe 24 gjuhë zyrtare. Rreth 60 gjuhë të tjera janë pjesë e trashëgimisë së BE-së dhe fliten në rajone të caktuara ose nga grupe të caktuara- pohoi Dejvid Gir, Ambasador i BE-së.

Presidenti, Pendarovski në emisionin e mbrëmshëm 360 gradë në Alsat tha se vendi mund ta pranojë se e ka kodifikuar gjuhën në vitin 1944, por assesi se paraprakisht gjuha apo populli nuk kanë qenë maqedonas. Pendarovski tha se kjo bashkë me deklarimin e Sofjes se do ta mbështesë rrugën evropiane të Shkupit kanë qenë pjesë e marrëveshjes së arritur në takimin e fundit të ministrave të jashtëm nga Shkupi, Sofja e Berlini. Gjithsesi kjo nuk po respektohet, për çka Pendarovski është skeptik se do të gjendet kompromis.

“Thonë “Ne do ta pranojmë se ekziston gjuha maqedonase dhe ju do të nënshkruani se ajo është me origjinë nga gjuha bullgare”. Kjo është e pamundur. Realisht, nuk është e saktë as në aspektin historik, është e pamundur- tha Stevo Pendarovski.

Në takimin e së premtes mes ambasadorëve të BE-së, Bullgaria i vendosi veto kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Deri në miratimin përfundimtar të kornizës më 17 nëntor, ambasadorët e BE-së do të takohen edhe dy herë të tjera. Ndërsa janë paralajmëruar takime të mundshme mes kryeministrave, ministrave të jashtëm dhe historianëve të dy vendeve./Alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme