Bizneset në Maqedoninë e Veriut, veçmas ato të sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë, gjatë pandemisë, e kanë ndierë mungesën e parave që diaspora sillte në vend gjatë pushimeve të verës.
“Mungesa e remitencave (dërgesave të diasporës) është ndierë sidomos te bizneset që merren me organizimin e ngjarjeve familjare. Mungesa e parave nga mërgimtarët ka lënë pasoja sepse te ne, shumë biznese janë të orientuara nga remitencat”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hajrulla Asani, që drejton një kompleks në “Kodrën e Diellit” në Tetovë.
Ndërkaq, nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se para fillimit të pandemisë së koronavirusit, remitencat përbënin rreth 15 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) apo 1.5 miliard euro. Por, gjatë vitit të kaluar, remitencat kanë pësuar rënie për një të katërtën e kësaj vlere.
“Transferet totale u ulën për rreth 24 për qind, ku rënie të dukshme ka në dërgesat e parave në duar. Por, remitencat e dërguara përmes bankave dhe trasfereve të shpejta të parave, u rritën ndjeshëm për 47 për qind. Ky është tregues i qartë se mërgimtarët dhe punëtorët e përkohshëm jashtë vendit, të cilët dërgojnë fonde në Maqedoninë e Veriut, kanë përshtatur sjelljen e tyre me rrethanat e reja dhe po përdorin gjithnjë e më shumë kanalet digjitale”, thanë nga Banka Popullore.
Projeksionet e Bankës Popullore janë që remitencat gjatë këtij viti do të rriten për 20 për qind, por për shkak se kriza me pandeminë po vazhdon edhe këtë vit, kthimi në nivelin e para-pandemisë, pritet të ndodhë më 2022.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdulmenaf Bexheti pret që gjatë këtij viti, diaspora të sjellë më shumë para, ndërkaq, në planin afatgjatë, sipas tij, problematike do të jetë edhe gjendja ekonomike e shteteve evropiane, ekonomitë e të cilave janë goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.
“Përderisa ata (qytetarët që jetojnë jashtë vendit) kanë frikë, sepse disa prej tyre janë larguar nga puna dhe disa vende pune kanë reduktuar stafin, fuqia e tyre e kursimit do të jetë më e ulët”, thotë akademiku Bexheti.
Në këtë drejtim, Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e remitencave ka ndikuar dukshëm në konsumin e përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut.
“Tejkalimi i krizës së COVID-19 duhet t’i paraprijë një model apo një program, që duhet ta përgatisin organet kompetente në vend, e që për bazë duhet të ketë stimulimin dhe riinkuadrimin e remitencave në ekonominë e vendit. Në këtë mënyrë do të kthehej trendi i remitencave që kishin paraprakisht, përkatësisht para krizës së pandemisë, në mënyrë që shumë biznese të vazhdojnë realizimin e veprimtarive sezonale, që varen kryekëput nga remitencat”, thotë Zeqiri.
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se është duke u punuar në modernizimin e legjislacionit vendor lidhur me shërbimet bankare, të cilat, siç thonë nga ky institucion, do të harmonizohen me praktikat evropiane, në mënyrë që të mundësohet forma më bashkëkohore e realizimit të transaksioneve bankare./rel
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...