Bexheti: Pas 9 majit, besueshmëria e BDI-së ka filluar të shënojë rënie

14:37 | 26 Nëntor 2015
Arbresh.info

Në CLICK PLUS, për sondazhin e fundit të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) debatuan akademik Abdylmenaf Bexheti, profesori Arsim Sinani, gazetari Besim Iljazi dhe analisti Bashkim Bakiu, duke vënë fokus të veçantë në matjet e besimit të qytetarëve në politikat dhe opsionet e ndryshme përbrenda bllokut politik shqiptar në Maqedoni, si dhe në perspektivat e partive për zgjedhjet e ardhshme.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti vuri në pah disa të dhëna prej hulumtimeve të IRI-t, duke krahasuar ato me të dhënat nga hulumtimet e mëparshme dhe me ngjarje apo faktorë që kanë pasur ndikim në qëndrimin e votuesve.

“Besueshmëria e BDI-së ka filluar të shënojë rënie pas 9 majit të këtij viti, apo pas rastit të Kumanovës. Në sondazhet e fundit, 1/3 e qytetarëve thuan se kanë qenë nën presion të drejtëpërsedrejtë gjatë procesit të votimit”, theksoi ai.

“Madje ata thuan, se sa të fillojë fushata, pjesa më e madhe e militantëve partiak, pozicionohen apo janë në gatishmëri të plotë deri në momentin kur thirren nga partitë politike për t’i marrë detyrat konkrete për zgjedhje”, thotë akademik Bexheti.

Ai po ashtu përkujtoi se besueshmëria në politikat e qeverisë së Gruevskit në krahasim me sondazhin e IRI-t nga 2008 është përgjyshmuar.Për Bexhetin, sondazhet e IRI-t janë kredibile dhe të besueshme.

Profesor Arsim Sinani mendon se BDI dhe PDSH do të vazhdojnë rënien. Suksesin e mundshëm të partive tjera opozitare shqiptare e sheh vetëm te bashkimi. Përndryshe, po nuk ndodhi kjo, mendon se një pjesë e votës opozitare shqiptare mund të shkojë tek LSDM-ja.

“Ajo që vërehet nga sondazhet e IRI-t është që ka një renie të lire të besueshmerise tek BDI dhe PDSH. Gjithashtu, vërehet se opozita shqiptare e bashkuar mundet të dale fitues apsolut i zgjedhjeve të prillit, vitin e ardhshëm. Deri në zgjedhjet e ardhshme pres rënie edhe më të madhe të BDI-së dhe PDSH-së, por nuk shoh se partite tjera opozitare munden te arrijnë sukses të madh, edhe pse kanë potencial””, vlerësoi Sinani.

Sipas tij, BDI vetëm në Shkup i ka punët mirë, për arsye se Izet Mexhiti ka arritur të bëjë një unitet të fortë në mes elektoratit te BDI-së. Në Dibër, sipas Sinanit, Gëzim Ostreni është fitues apsolut kundër të gjitha subjekteve tjera politike.

“Në Kumanovë, as BDI, e as PDSH nuk kanë më se çka kërkojnë Në Kërçove, Fatmir Dehari është opozitë e BDI-së dhe fati i BDI-së është në duart e Fatmir Deharit, ndërsa në Tetovë, BDI-së i duhen njerëz të rinj. Më vjen keq që duhet t’a them, por nëse opozita shqiptare nuk konsolidohet, shqiptarët në fund do të votojnë LSDM-në”, theksoi Sinani. Ai u shpreh skeptik lidhur me të dhënat e anketës së IRI-t.

Sipas kryeredaktorit të gazetës “Koha”, Besim Iljazi, vallë partia në pushtet do të bjerë mëtutje në sondazhe varet nga ajo se sa afër do të jetë me elektoratin. “BDI nëse nuk i kthehet popullit, do të ketë rënie edhe më të madhe”, thotë Iljazi.

Ai nuk beson se mund të ndodhë bashkëpunim i opozitës për shkak të prejardhjes së ndryshme ideologjike. “Lëvizja BESA vjen si shkpëputje e një pjese të elektoratit të BDI-së dhe PPD-së. RDK dhe LR-PDSH vjen si një shkeputje e elektoratit të PDSH-së. Dyshoj se partitë e vogla opozitare do të arrijnë të gjejnë rrugën e bashkepunimit”, mendon Iljazi. Ai kundërshtoi tezën e Sinanit për derdhje të votave shqiptare drejt LSDM-së. “Shqiptari nuk voton për partite maqedonase”, potencoi Iljazi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm