“BESA e Tetovës”, zgjodhi Bilall Kasamin për kryetar

23:49 | 24 Shkurt 2018
Arbresh.info

Bilall Kasami u zgjodh kryetar i Lëvizjes Besa nga krahu i tij.

Me mbështetjen e 60 delegatëve për kandidaturë dhe 455 për kryetar, Kasami mori besimin e krahut tij edhe për një mandat.

Në fjalët e para pas zgjedhjes, Kasami komentoi zhvillimet në Besa duke i quajtur loja dhe tendenca për përçarje të partisë.

Sipas tij, krahu që tani është publikisht kundër tij, më shumë janë angazhuar për të përçarë Besën se sa për të fituar kundërshtarët politik. Çështjen e dy fraksioneve, Kasami ua beson institucioneve.

Ne jemi këtu për të artikuluar zërin politik. Për çështje juridike merren organet e rendit. Edhe për këtë çështje do të merren institucionet e drejtësisë. Ne nuk duam që çështjet juridike t’i shfrytëzojmë për çështje politike. Lëvizja Besa është një, ka një kongres dhe sot zgjodhi kryetarin dhe organet e partisë. Pjesa tjetër është çështje e organeve të rendit – tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

I pyetur nëse është i gatshëm për t’u bashkuar me shumicën parlamentare, Kasami theksoi pozicioni i tyre varet nga qëndrimi i Qeverisë.

Për momentin jemi pjesë e opozitës dhe do të vazhdojmë të artikulojmë zërin opozitarë. Nëse do të kemi ofertë për të qenë pjesë e Qeverisë, sigurisht se do ta diskutojmë – u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Kasami vlerëson se fraksionet në Besa nuk do të ndikojnë në grupin parlamentarë për aq kohë sa ndonjëri nga deputetët nuk deklaron të kundërtën. Aktualisht, Bilall Kasami ka mbështetjen e dy deputetëve, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli, ndërsa krahu tjetër ka mbështetjen e Nexhbedin Karemanit, Rexhep Memedit dhe Afrim Gashit. Ky i fundit, në kongresin e 18 shkurtit nga krahu i tij u zgjodh për kryetar të Lëvizjes Besa. Përçarjet në Besa lindën pas zgjedhjeve lokale. Krahu i Shkupit mbajti mbledhje të Kryesisë Qendrore në Shkup, ku edhe shkarkoi Kasamin nga pozita e kryetarit. Ky i fundit, pak ditë më vonë mori zyrat e partisë në Shkup ku edhe zhvendosi të njëjtat. Zhvendosjen e njohën edhe organet e zbatimit të ligjit./Alsat-M

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme