Google ADS

BERZH pret rritje ekonomike prej 3 për qind për Shqipërinë në 2022-shin, ul parashikimin për vitin që vjen

12:29 | 28 Shtator 2022
A. B.

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3 për qind në vitin 2022, tha sot Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit, duke ruajtur projeksionin e majit për rritjen ekonomike të vendit.

Edhe në vitin 2023, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë parashikohet të rritet gjithashtu me 3 për qind, tha BERZH në edicionin e shtatorit të raportit të saj të Perspektivave Ekonomike Rajonal.

Në raportin e muajit maj, BERZH parashikoi rritje ekonomike prej 3.3 për qind për Shqipërinë në vitin 2023.

Rishikimet që nga maji janë nxitur kryesisht nga reduktimi i furnizimeve me gaz nga Rusia dhe rritja e inflacionit në nivel global, të cilat pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike në vitin 2023 në rajonet ku BERZH është prezent.

BERZH tani parashikon rritje ekonomike prej 3.2 për qind në 2022 dhe 3 për qind në 2023 për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, parashikimet janë subjekt i një rreziku të madh nëse lufta e Rusisë ndaj Ukrainës përshkallëzohet ose vëllimi i eksporteve të gazit rus bie edhe më shumë, vuri në dukje BERZH.

Sipas parashikimeve të mëparshme, ekonomia e Shqipërisë u rrit me 8.5 për qind në 2021, pas tkurrjes me 3.3 për qind në 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme