Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe – e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq – ka thënë se rezultatet e para në 50 për qind të vendvotimeve tregojnë se partia ka fituar 47.1 për qind të votave.
Sipas këtyre parashikimeve, sipas saj, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka fituar 23 për qind të votave dhe Partia Socialiste e Serbisë, 6.7 për qind të votave.
“Për Beogradin kanë nisur të arrijnë rezultatet e para”, ka thënë ajo.
Bërnabiq i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.
Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.
Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.
Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273.
Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.
Mbarëvajtja e procesit zgjedhor
Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë.
Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime.
Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd.
Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 – ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd.
“Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.
Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.
Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.
Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.
Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.
Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.
Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në./rel/
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë