Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi se Beogradi kërkon shpjegim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut lidhur me ikjen e Blerim Ramadanit, i cili ishte arrestuar nga autoritetet maqedonase në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.
Daçiq e cilësoi si “skandaloz” ikjen e Ramadanit nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut.
“Ai është pjesëtar i UÇK-së, i cili ka kryer krime kundër serbëve në Kosovë, të cilin Serbia po e kërkon në mënyrë që të përballet me gjyq”, tha Daçiq, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte arrestuar muajin e kaluar nga autoritetet maqedonase në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga Serbia.
Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.
Më 1 gusht, një gjykatë maqedonase urdhëroi që Ramadani të dërgohej nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup.
Ai ishte paraparë të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.
Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD).
Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së.
Gjatë një vizite në pikëkalimin kufitar të Tabanovcit më 25 korrik, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i kishte kërkuar Shkupit që ta ekstradonte Ramadanin në Serbi.
Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në Shkup më 31 korrik. Sveçla deklaroi se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur për këtë çështje dhe akuzoi Serbinë se dëshiron të prishë raportet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.
Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrar dhe të padrejtë arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.
Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.
Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.
Parashikimi i motit për vikend
Gjermani/ Një person hyn me makinë në tregun e Krishtlindjev...
FBI-ja po e heton sulmin në Ibër-Lepenc
Hovenier: Misioni si ambasador i ShBA-së në Kosovë, ishte nd...
Prishtinë: Vetura godet këmbësoren te rruga “C”
Publikohen pamjet e para nga tregu i Magdeburgut – raportohe...