Google ADS

Bekteshi: Të hënën shkojmë në Bullgari, kemi propozime konkrete

12:24 | 21 Janar 2022
V. S.

Qeveria dje formoi grupe ndërqeveritare për bashkëpunim me Bullgarinë dhe emëroi bashkëkryesues dhe anëtarë të këtyre grupeve.

Në pjesën e ekonomisë, siç njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tashmë ka propozime konkrete të cilat do t’u prezantohen autoriteteve bullgare ditën e hënë dhe të martë.

“Të hënën dhe të martën do të shkojmë në Bullgari me propozime konkrete dhe do t’i shohim edhe propozimet. Me shumë gjasë, në pjesën e ekonomisë shumë shpejtë do të mund të vendosim bashkëpunim”, tha Bekteshi në ngjarjen në Saraj.

Ndërkaq Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e saj të katër ka emëruar bashkëkryesues dhe anëtarë të grupeve të punës ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që si përfundim doli nga takimet në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit të Qeverisë së Bullgarisë në Shkup.

Për Grupin ndërqeveritar për ekonomi – bashkëkryesues emërohet zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ndërkaq anëtarë: Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë. Në këtë grup anëtarë do të ketë edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Fondi për Inovacion dhe Zhvillim, Agjencia për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, Agjencia për Promovim të Turizmit dhe Ministria për Ekonomi në pjesën e energjetikës./TV21/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme