Kryediplomatët e vendeve të grupit “Miqtë e Zgjerimit” qëndrojnë në vizitë në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast ministri i jashtëm polak tha se anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE ka edhe një dimension etik
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka pritur në takim homologët e tij nga Polonia, Jacek Czaputowicz; Letonia, Edgars Rinkēvičs; Lituania, Linas Antanas Linkevičius, si dhe zv/ministrin për Çështje Evropiane të Estonisë, Märt Volmer.
Diplomatët kanë ardhur në Maqedoninë e Veriut si përfaqësues të grupit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) “Miqtë e Zgjerimit”, ndërsa pas takimit të përbashkët, ata mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Ministri Dimitrov tha se është kënaqësi e rrallë të ketë takim me përfaqësues të katër shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s, për të cilat tha se i japin mbështetje të qartë Maqedonisë së Veriut.
“Vendet janë anëtare, pjesë e grupit të ashtuquajtur ‘Miqtë e Zgjerimit’ dhe sot janë këtu në Maqedoninë e Veriut të japin mbështetje dhe një sinjal të qartë. Ata vijnë dy ditë pas publikimit të raportit të azhurnuar, apo siç e quajmë ne, mini-raport të Komisionit. Komisioni Evropian tha se ne i përmbushëm, dhe jo vetëm që kemi vazhduar, por edhe kemi rritur përpjekjet për reforma”, tha Dimitrov.
Kryediplomati polak Jacek Czaputowicz tha se vizita ka për qëllim të demonstrojë mbështetjen e fuqishme për Maqedoninë e Veriut për aspiratat e saja evropiane, duke shtuar se anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE ka edhe një dimension etik.
“Vlerësojmë se BE ua ka borxh këtyre vendeve vendimin për të pranuar këto vende në BE, ua ka borxh këtë vendim shoqërive të këtyre vendeve. Por, këtu është edhe dimensioni gjeopolitik dhe i sigurisë, Ka edhe aktorë të tjerë jashtë BE-së të cilat janë aktive këtu në rajon, kështu që një vendim i tillë gjithashtu do të parandalojë atë ndikim negativ”, tha Czaputowicz.
Kryediplomati i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, tha se shpreson që vendimi për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE do të ndodh në këtë muaj,
“Ne shpresojmë shumë se vendimi do të merret në mars, këtë muaj. Ne do të mbajmë mbledhje të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme dhe vendi im, Letonia, do të avokojë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim menjëherë”, tha Rinkēvičs.
Kryediplomati i Lituanisë, Linas Antanas, tha se Maqedonia e Veriut ka shfaqur durim dhe motivim të madh për të vazhduar me reformat, pavarësisht të gjitha pengesave.
“Ne nuk jemi këtu vetëm për t’ju mbështetur dhe për të shfaqur solidaritet, por gjithashtu mund të mbështeteni tek ne në të ardhmen pasi ne në çdo rast u konsiderojmë juve si anëtarë të familjes euroatlantike për shumë vite dhe kjo duhet të ndodh si de facto, ashtu edhe de jure”, tha Antanas.
Zv/ministri për Çështje Evropiane të Estonisë, Märt Volmer, në deklaratën e tij tha se përpos mbështetjes së ofruar, vizita ka për qëllim të vazhdojë bashkëpunimin mes vendeve, duke shtuar se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, do të ketë mundësi të reja për bashkëpunim.
Kujtojmë se si rezultat i kundërshtimit të Francës, Këshilli Evropian në samitin e tetorit nuk vendosi të caktojë datë për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në BE./AA
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...