BE-ja sot formalisht pritet të vendos për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut

08:42 | 24 Mars 2020
Arbresh.info

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-s sot përmes video konferencës, do të aprovojnë konkluzionet e përfunduara në nivel ambasadorësh duke i dhënë një dritë jeshile për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit, ministrat nuk do të udhëtojnë sot në Bruksel, por do të takohen përmes videokonferencës, e cila ndërlikon procedurat, por sipas diplomatëve të konsultuar nga AIM, nuk pritet të ketë ndryshim në vendimin e harmonizuar në nivel të ambasadorëve.

Siç raportoi AIM dje, të gjitha 27 vendet-anëtare, pas negociatave të vështira, ranë dakord që metodologjia e propozuar e rinovua e Komisionit Evropian për anëtarësim është e kënaqshme dhe se përparimi i reformës së Maqedonisë së Veriut është i mjaftueshëm për të hapur negociatat e aderimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet “sa më shpejt është e mundur”, qëndron në projekt konkluzionet e vendeve-anëtare.

Konferenca ndërqeveritare shënon hapjen zyrtare të kapitujve, dhe Komisioni Evropian së pari duhet të hartojë një kornizë bisedimesh, e cila gjithashtu duhet të miratohet nga vendet-anëtare.

Duke pasur parasysh pasigurinë për shkak të koronavirusit, askush nuk guxon të caktojë data tani.

Maqedonia e Veriut gjithashtu do të duhet ta përgatisë pozicionin e saj negociues përpara fillimit të këtij procesi.

Përfundimet parashikojnë hapjen e negociatave edhe me Shqipërinë, por për këtë vend janë dhënë një numër kushtesh për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Diplomatët në Bruksel sqarojnë se ky ndryshim është për shkak të qëndrimeve të shteteve anëtare.

Nuk priten befasi të këqija lidhur me miratimin e konkluzioneve sot, megjithëse për shkak të zhgënjimit të tetorit të gjithë diplomatët mbeten të kujdesshëm. Bisedimet midis shteteve anëtare janë finalizuar në nivelin e ambasadorëve, pasi që ministrat nuk pranojnë të negociojnë përmes video-konferencës.

Një diplomat anëtar i BE-së shpjegoi se ambasadorët kanë marrë udhëzime të qarta nga ministrat dhe qeveritë e tyre gjatë negociatave të zhvilluara në Bruksel vitin e kaluar, kështu që nuk pritet asnjë surprizë sot. Ambasadorët janë të vetmit që ende takohen fizikisht në BE, ministrat dhe liderët tashmë disa javë zhvillojnë ekskluzivisht video-mbledhje.

Pasi të jetë miratuar vendimi, hapet një procedurë me shkrim për miratimin e tij zyrtar nga të gjitha vendet-anëtare, me çka vendimi hyn në fuqi. Procesi mund të zgjasë deri në fund të javës, kur mbahet një samit i udhëheqësve të BE, të cilët gjithashtu do të japin miratim politik.

Javën e kaluar, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, tha se BE-ja kishte arritur konsensus për vendim për hapjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut – pa kushte dhe me kërkesë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare menjëherë pas miratimit të kornizës së negociatave. Lajmi pozitiv nga Brukseli, sipas Osmanit, jen pas takimit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve-anëtare të BE (KOREPER), në të cilën është diskutuar gjithashtu edhe për zgjerimin.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, dje tha se kishte perspektiva të mëdha dhe sinjale pozitive nga shumica dërrmuese e vendeve-anëtare të BE-së për vendimin për të negociuar, por megjithatë debati nuk ka përfunduar akoma, ndërsa KOREPER nuk është organ politik vendimmarrës.

“Pas përvojave të vitit 2018 dhe 2019 jemi të detyruar ndaj njerëzve të jemi të kujdesshëm dhe të presim që puna të përfundojë plotësisht para se të dërgojmë përshëndetjet. Situata duket e shkëlqyeshme, por puna nuk është e përfunduar në këtë proces”, tha Dimitrov, duke shtuar se BE-ja do të ishte shumë e gabuar nëse dërgon sinjal se është e mbingarkuar nga kriza shëndetësore sa nuk mund të bënte asgjë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme