“Sa më shumë afrohet data e mbajtjes së referendumit, qendrat vendosëse dëshirojnë të përçojnë mesazh të qartë se Maqedonia, si shtet, e ka mbështetjen e tyre të fuqishme në procesin e integrimeve euroatlantike. Megjithatë, partitë në pushtet, të cilat janë shprehur pro referendumit, nevojitet që përmes kontakteve të drejtpërdrejta, t’u shpjegojnë qytetarëve se cilat perspektiva hapen për vendin me votën e tyre pozitive për marrëveshjen Maqedoni – Greqi në referendumin e shtatorit”, kështu i shohin njohësit e çështjeve politike porositë që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, lidhur me rëndësinë e rezultatit pozitiv në referendum.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar, thotë për Radion Evropa e Lirë se dëshiron që referendumi të jetë i suksesshëm, sepse në këtë mënyrë dëshiron të shohë se si Maqedonia ecë para dhe arrin të fillojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE gjatë vitit të ardhshëm.
“Dëshiroj të shoh se referendumi është i suksesshëm. Dhe, më duhet të theksoj se në këtë nuk jam i vetëm. Sigurisht, keni vërejtur se muajve të fundit si asnjëherë më parë, keni marrë porosi pozitive, si dhe janë realizuar shumë vizita nga liderë të Evropës në Maqedoni”.
“Ata e ndjekin nga afër situatën, dhe kjo demonstron dëshirën e liderëve të Evropës që ta shohin vendin se si ecë para, të shohin se si përmirësohet situata dhe të shohin fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE gjatë vitit të ardhshëm. Mendoj se të gjithë e ndiejmë se tani është koha, nuk ka alternativë tjetër të mirë ose më të mirë nga ajo që është ofruar tani”, deklaron Zbogar.
Ndërkohë, në lidhje me referendumin është deklaruar edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Johanes Hahn. Ai ka theksuar se referendumi në Maqedoni paraqet zgjedhje mes së ardhmes në Bashkimin Evropian dhe izolimit.
“Referendumi paraqet zgjedhje drejt së ardhmes së BE-së, integrimit me përfitime konkrete për qytetarët, si sundimi i ligjit, tërheqja e investimeve të huaja, hapja e shumë vendeve të reja të punës dhe rrugës drejt izolimit, ngecjes dhe lëshimit të shansit të vetëm për përmirësimin dhe përparimin në sferat kyçe”, ka theksuar Hahn.
Ai referendumin, gjithashtu, e ka krahasuar mes koncepteve nacionaliste dhe integrimit të vendit në NATO dhe BE.
“Zgjedhja është mes lëvizjes nga konceptet e vjetra nacionaliste ose të ardhmes së vendit me reforma dhe integrimit në BE dhe NATO, si destinacion përfundimtar. Kjo nuk është e imponuar nga BE-ja apo bashkësia ndërkombëtare. Integrimi euroatlantik është vendosur si qëllim strategjik i vendit qysh më herët. U takon qytetarëve që të vendosin nëse kjo perspektivë me të gjitha përfitimet, do të materializohet”, është shprehur Hahn.
Selim Ibrahimi nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoni, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se porositë e qarta që vijnë nga zyrtarët e të lartë të SHBA-së dhe BE-së, se referendumi duhet të jetë i suksesshëm që menjëherë pas kësaj të shfrytëzohet shansi që vendi të ecë me hapa grandiozë në procesin e integrimeve euroatlantike, në masë të madhe kanë si synim inkurajimin e qytetarëve maqedonas të rreshtohen pro referendumit, veçanërisht ata të cilët janë të papërcaktuar ose që ende hamenden rreth daljes në referendum.
“Kjo përkrahje që vjen nga bashkësia ndërkombëtare ka mundësi që të ndryshojë mendimin, përkatësisht opinionin e qytetarëve maqedonas, të cilët akoma kanë hamendje sepse shqiptarët, më se 98 për qind janë shprehur pozitivisht për referendumin si mundësi që i hap rrugë procesit të integrimeve”.
“Në fakt, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë më shumë nga kjo që po bën, sepse në duart e qytetarëve të Maqedonisë mbetet se si do të vendosin të votojnë në referendumin e shtatorit. Vendi ndodhet në një pikë shumë të rëndësishme dhe këtë qytetarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë”, vlerëson Ibrahimi.
Nga ana tjetër, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike, thotë se nevojitet një fushatë më agresive nga ana e Qeverisë dhe shumicës parlamentare për t’ua sjellë për së afërmi qëndrimet e qendrave vendim-marrëse .
“Këto mesazhe të drejtpërdrejta që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, do të kenë efekt vetëm nëse Parlamenti, si bartës për realizimin e fushatës për referendumin, përkatësisht shumica parlamentare e cila favorizon që të votojë pro referendumit, arrin t’ua servojë qytetarëve si politikë që ata ta kenë të qartë se nëpër cilën rrugë ka vendosur të ecë Maqedonia”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dujovski.
Të mërkurën, sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, gjatë takimit me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, tha se “SHBA-ja pret që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, pas realizimit suksesshëm të referendumit në shtator”.
Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar se “mbështet rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së” gjatë një bisede telefonike që ka realizuar po të mërkurën me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ka njoftuar Qeveria e Maqedonisë.
Ndërkohë,faktori ndërkombëtar shpreh keqardhje se nuk është arritur një konsensus gjithëpërfshirës rreth referendumit ndërmjet pushtetit dhe opozitës, OBRM-PDUKM-ja ende nuk është prononcuar nëse do t’i ftojë qytetarët të votojnë kundër apo ta bojkotojnë në tërësi referendumin./Rel/
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...