Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi të martën, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.
Të martën në mëngjes, Kuvendi i Malit të Zi, e zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq pas një seance plenare që zgjati tërë natën.
“Po ashtu, presim nga Mali i zi që ta mbajë rekordin e pathyeshëm të përshtatjes me BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë“, tha BE-ja në një komunikatë për media të martën.
Mali i Zi i ka mbështetur plotësisht qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.
Por, ka pasur druajtje se ardhja në pushtet e partive pro-ruse dhe pro-serbe mund ta vënë në pikëpyetje këtë.
Dhe pikërisht votimi i Qeverisë së re u mundësua pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.
Prandaj, BE-ja bëri thirrje që Mali i Zi të mos e ndryshojë politikën e jashtme si një vend që synon anëtarësimin në bllok.
“Ne ftojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen në veprimet me prioritet që kërkohen për të avancuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të përmbushë kriteret kalimtare në kapitujt 23 dhe 24, sidomos në emërimet e gjykatësve dhe në reformat që tashmë janë vonuar“, tha BE-ja.
Mandiq, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Ndaj emërimit të tij protestuan mijëra njerëz pranë ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë të hënën vonë./rel
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh
Manchester United vazhdon me seri negative, mposhtet edhe ng...
Osmani dhe Hovenieri bëjnë homazhe tek shtatorja e president...
Kurti dhe Nagavci takuan studentët përfitues të bursave nga ...
Rizvanolli nesër takon përfaqësues të KOSST dhe KEDS-it