Google ADS

BE-ja i kërkon Bosnjës më shumë reforma për t’i nisur bisedimet për anëtarësim

17:35 | 5 Dhjetor 2023
E.G

Bashkimi Evropian (BE) i ka kërkuar Bosnjë e Hercegovinës të bëjë më shumë reforma në mënyrë që të mundë t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në këtë bllok, tha të martën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Bosnja e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022. Por, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, asaj i kanë mbetur edhe disa kritere për t’i përmbushur në mënyrë që të mundë të hapen bisedimet për anëtarësim.

Një delegacion i madh nga Bosnja e Hercegovina u takua të martën në Bruksel me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.

Verhelyi tha se BE-ja “sheh një përkushtim për reformat në Bosnjë e Hercegovinë dhe avancim pozitiv”.

“Jam i bindur se Bosnja e Hercegovina mund të bëjë më shumë dhe më mirë, e në këtë drejtim po punon Këshilli i Ministrave [i BiH]. Po shohim përparim të madh në reforma, qeveritë e reja janë vendosur në të gjitha nivelet, shpejt po miratohen buxhetet dhe të gjitha partitë politike e kanë shprehur integrimin në BE si prioritet të tyre”, tha Verhelyi.

Ai e përmendi pranverën e vitit 2024 si afatin kur do të mundë të miratohej një vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjën.

Një numër i madh i përfaqësuesve politikë të entiteteve dhe institucioneve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina qëndruan të martën në Bruksel, për të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë politik me BE-në, që ka për qëllim avancimin evropian të këtij vendi.

Ky takim u zhvillua pikërisht në kohën kur vendet anëtare janë duke diskutuar rreth mundësisë së vendimit me kusht për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Sipas një drafti të përgatitur për miratim nga ministrat e BE-së, Bosnja e Hercegovina do të mundë të merrte një vendim për të nisur negociatat e anëtarësimit “kur të vlerësohet se janë përmbushur kriteret e nevojshme“.

Por, edhe ky formulim ka hasur në kundërshtime nga disa vende të BE-së dhe nuk do të jetë e lehtë për të ta sigurojë mbështetjen unanime që nevojitet për ta kaluar vendimin në Këshill.

Në takimin në Bruksel kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të entiteteve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina që kanë dallime diametralisht të kundërta në qëndrimet e tyre politike.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se vendi i tij nuk ka asnjë alternativ tjetër pos integrimit në BE.

“Dua t’ua rikujtoj të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë se ne në BE i eksportojmë rreth 75 për qind të të mallrave që i eksportojmë në përgjithësi. Me rajonin kjo arrin në 94 për qind. Ne nuk kemi opsion tjetër, edhe pse disa mund të kenë simpati për ndonjë hapësirë tjetër gjeografike, ne fatin e kemi kah Brukseli“, tha Konakoviq.

Në takim në Bruksel mori pjesë edhe Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, i cili vazhdon të kërcënojë me shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina.

Por, pas takimeve në Bruksel, Dodiku nuk e përmendi këtë, ndërsa pretendoi se “shkeljet më të mëdha të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovina kryhen nga përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt.

Ndasitë politike në Bosnjë e Hercegovinë janë përmendur vazhdimisht nga Bashkimi Evropian si shkaktari kryesor i mungesës së suksesit në reforma, të cilat do ta bënin këtë shtet më funksional dhe në këtë mënyrë do t’i mundësonin një përparim me të shpejtë në procesin e integrimit në BE.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë shprehur shqetësime edhe për ndikimin negativ të Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë, i cili mund ta rrezikojë edhe situatën e sigurisë në këtë vend./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme