Babai i Almirit kërkon burg të përjetshëm për personin që ia shkeli djalin me veturë

10:24 | 15 Shkurt 2017
Arbresh.info

Të mërkurën do të fillojë procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut i cili vdiq si pasojë e shtypjes me makinë nga Boban Iliq, pas një zënke banale midis tij dhe familjarëve të vogëlushit të ndjerë.

Ndonëse seanca është caktuar, mbrojtja ende nuk ka pranuar analizën neuro-psikiatrike, të cilën e kishte kërkuar pas pretendimeve se i akuzuari për vrasje nuk ishte në gjendje normale psikike gjatë kryerjes së aktit.Babai i 4 vjeçarit u ka bërë thirrje autoriteteve që vrasësi i djalit të tij të marrë dënimin maksimal, burg të përjetshëm.

“Në qoftë se merret ndonjë vendim, dënim me vite atëherë edhe ato vite kalojnë shumë shpejtë dhe se ai përsëri do del nga burgu dhe se rasti që ma ka ndodhur mua mund ti ndodhë ndokujt tjetër, mund ti shtyp 1, 2, 3 fëmijë e kështu me radhë, për atë ne presim që ai të dënohet me burg të përjetshëm, e mos të jetë i lirë, mos ti ndodhë ndokujt tjetër pa marrë parasysh a është shqiptar apo maqedonas”, deklaroi Sedat Aliu, babai i Almir Aliut, shkruan Alsat M.Seancës gjyqësore do ti paraprijë një protestë, e organizuar nga OJQ “ Zani “ nga Kumanova.

Kjo organizatë i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve nga Kumanova dhe jo vetëm që të protestojnë përpara Gjykatës Themelore. Almir Aliu humbi jetën si pasojë e shtypjes me makinë nga Boban Iliq natën e 25 qershorit të vitit të kaluar. Në seancën e 15 shkurtit, përveç të akuzuarit për vrasje Boban Iliq, para trupit gjykues do të dalin edhe 3 të akuzuarit për dhunë, përfshi këtu edhe babain e Almirit, Sedat Aliun .

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme