Autobusët e stërmbushur e të vjetër

18:48 | 14 Mars 2019
Arbresh.info

Në periudhë një mujore, në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur 4 aksidente me autobusë, 3 prej të cilave pa pasoja në njerëz. Shfrytëzimi i transportit publik nuk është sigurt përderisa kompanitë transportuese shfrytëzojnë autobus të vjetër.

Kështu thotë Rufat Huseini, drejtor i Inspektoratit Shtetërorë të Transportit sipas të cilit shkeljet që bëjnë kompanitë transportuese janë të shpeshta. Ai thotë se edhe përkundër numrit të vogël të inspektorëve në terren, kryhen shumë kontrolle për të detektuar parregullsitë. Si dukuri më të theksuar, Huseini e përmend stërmbushjen e autobusëve me udhëtarë, që e sheh si një kanosje mjaftë të rëndë ndaj sigurisë së udhëtarëve.

Në Maqedoni në përgjithësi, të gjitha kompanitë kanë automjete shumë të vjetra të cilat janë kërcënim për sigurinë në komunikacion. Raste të tilla kemi zakonisht ditën e premte dhe të dielën, kur kthehen njerëzit nëpër shtëpi kemi lëvizje më të madhe. Kemi sanksionuar shumë kompani. Është e vërtetë që paraqiten udhëtarë, jo vetëm tek ju por edhe tek ne paraqiten me parashtresa të ndryshme për shkak se në relacionet më të gjata ka udhëtarë që qëndrojnë në këmbë. Janë marrë masa ndëshkuese kundër transportuesve të tillë”- tha Rufat Huseini nga Ministria për Transport, Sektori i Transportit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Toni Angellovski thotë se policia kryen kontrolle të shpeshta te mjetet transportuese dhe se është mjaft i madh numri i parregullsive që hasen.

Gjatë vitit 2018 janë kontrolluar 3510 mjete transportuese ndërsa janë konstatuar 412 parregullsi, për çka janë larguar nga komunikacioni por edhe janë sanksionuar. Në vitin 2019, deri një ditë më parë, kemi kontrolluar 1153 autobusë, dhe janë konstatuar 178 parregullsi”- tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Ekonomia e dobët rrit mundësinë e shkeljes së ligjeve dhe mos rregullimin e autobusëve. Kështu thotë Inxhinieri i Komunikacionit Elmir Mustafi i cili thotë se krahas dënimeve, duhet të ketë edhe subvencione për kompanitë që investojnë në autobusë të ri.

Kontrollet duhet të shtohen, përveç dënimeve duhet të mendohet edhe në benificione për kompanitë të cilat marrin autobus të ri, më të sigurt dhe më ekologjik. Gjithmonë shoferët tentojnë që sa më shumë të marrin udhëtarë. Çmimi i ulët i transportit në krahasim me vendet evropiane është shkak që shpesh të shkelen rregullat”- theksoi Elmir Mustafai, inxhinier i komunikacionit.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë ta paraqesin çdo lloj parregullsie komunikacioni me qëllim që të rritet siguria në rrugë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme