Arrestimi i shtetasit malazias, Risto Jovanoviq, katër ditë më parë në Kosovë, mund të shkaktojë thellim të krizës së brendshme politike në Mal të Zi, që veçse është komplekse, por gjithashtu mund të acarojë marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Malit të Zi, thanë për Radion Evropa e Lirë analistët Zllatko Vujoviq dhe Agron Maliqi.
Policia e Kosovës e arrestoi Jovanoviqin më 28 qershor në Gazimestan, gjatë shënimit të Vidovdanit, pasi, siç tha policia, ai kishte brohoritur thirrje nacionaliste dhe kishte përdorur gjuhë që nxit urrejtje. Para gjykatës në Prishtinë, ai i mohoi këto pretendime të prokurorisë. Megjithatë, gjykata i shqiptoi 30 ditë paraburgim.
Gjatë liturgjisë në Gazimestan më 28 qershor 2021.
Për shkak të arrestimit të Risto Jovanoviqit në Kosovë, në Mal të Zi, më 30 qershor, për të tretën herë protestuan dhjetëra qytetarë, pranë ndërtesës së Qeverisë malazeze, ku njoftuan se do të radikalizojnë protestën “nëse Qeveria nuk bëhet më aktive sa i përket këtij rasti dhe nëse Jovanoviq nuk lirohet”.
“Qëllimi i këtyre protestave nuk është që të ndihmohet Jovanoviqi, por të dëmtohet politikisht kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe Qeveria, si dhe të forcohen pozicionet e Frontit Demokratik, përpara se të zhvillohen bisedimet për riorganizimin e Qeverisë. Një qytetar malazias që u arrestua në Kosovë, e ka mbrojtjen e duhur ligjore për procesin që po zhvillohet atje. Ky rast po manipulohet, në mënyrë që të dëmtohet kryeministri”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti malazias, Zllatko Vujoviq.
Me Qeverinë e udhëhequr nga Krivokapiq janë të pakënaqur nga Fronti Demokratik pro-serb, i cili me Demokratët dhe Lëvizjen qytetare Ura, formuan Qeverinë e Malit të Zi, vitin e kaluar.
Por, në fund të majit, Fronti Demokratik, që është partia më e madhe e koalicionit qeverisës, tha se Qeveria e Krivokapiqit nuk i besonte më kësaj partie.
Çfarë ka bërë Qeveria malazeze deri më tani?
Pas arrestimit të Jovanoviqit, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi më 28 qershor se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë kishte kontaktuar me autoritetet në Kosovë dhe tha se do të merrte masa për ta mbrojtur shtetasin e saj.
Më 29 qershor, kryeministri Zdravko Krivokapiq njoftoi se diplomacia malazeze ishte përfshirë në rastin e Jovanoviqit. Ai tha se autoriteteve në Prishtinë iu kërkua që të njoftonin pse u arrestua shtetasi malazias dhe nëse ai nuk është fajtor për veprat që dyshohet, të lirohet menjëherë.
Nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë njoftuan më 30 qershor se kryediplomati malazias, Gjorgje Radulloviq, do të diskutojë me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, për rastin e Jovanoviqit.
Gjatë liturgjisë në Gazimestan më 28 qershor 2021.
Fronti Demokratik: Sjellje e turpshme e kryeministrit dhe e Qeverisë
Më 30 qershor, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, e akuzoi kryeministrin Krivokapiq dhe ministrin e Jashtëm, Radulloviq, për “sjellje të turpshme” lidhur me rastin e Jovanoviqit.
Sipas kësaj partie, është e turpshme që Qeveria nuk e dënoi sjelljen e “banditëve që e rrëmbyen dhe e burgosën Risto Jovanoviqin”.
“Ata nuk guxojnë t’u flasin më partnerëve të tyre të rinj, me terroristë shqiptarë, të cilët, me qëllim që ta përkeqësojnë situatën, iu dhuruan vaksina dhe kush e di se sa herë ata e njohin shtetin e rremë të Kosovës”, tha Fronti Demokratik përmes një deklarate.
Një prej udhëheqësve të Frontit Demokratik, njëherësh deputet i Malit të Zi, Millan Knezheviq, tha më 30 qershor se partia e tij do të organizojë protesta.
“Qeveria është e paaftë dhe nuk ka forcë e as vullnet që t’i rezistojë shtypjes që po i bëhet Jovanoviqit. Unë pres një reagim institucional nga Krivokapiq dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ne veçse kemi paralajmëruar mbajtjen e protestave para së ashtuquajturës Ambasadë të Kosovës”, tha ai.
Deputeti i Malit të Zi, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Frontit Demokratik, Vlladimir Dobriçanin, kërkoi që Qeveria t’i japë Kosovës një “ultimatum prej 24 orësh”.
“Unë i bëj thirrje kryeministrit dhe Qeverisë që të ndërpresë çdo komunikim dhe ta mbyllin kufirin me Kosovën, nëse Jovanoviq nuk lirohet menjëherë, si dhe të dëbojë ambasadorin e atij shteti fals dhe t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me atë shtet terrorist”, u shpreh ai.
Pasojat e rastit Jovanoviq në raportet midis Kosovës dhe Malit të Zi
Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Podgoricë është thënë se kryediplomati malazias, Radulloviq, dhe ajo e Kosovës, Gërvalla, do të diskutojnë për këtë temë “në mënyrë që të shmanget zhvendosja e temës nga fusha e mbrojtjes ligjore për qytetarët tanë dhe të shmangen abuzimet dhe manipulimet e ndryshme politike për këtë rast”.
MPJ e Malit të Zi nuk njoftoi se kur do të takohen dy kryediplomatët.
Duke folur për pasojat e mundshme të rastit Jovanoviq, në raportet midis Kosovës dhe Malit të Zi, analisti politik nga Prishtina, Agron Maliqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, nuk e përjashtoi mundësinë që gjërat të shkojnë në drejtim negativ.
“Kur diçka bëhet çështje e politikës së brendshme në një vend dhe e presionit politik, gjithçka është e mundshme, sidomos në kontekstin e një brishtësie shumë të madhe të Qeverisë së atjeshme (të Malit të Zi)”, tha Maliqi.
Kush po përpiqet të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve?
Analisti Maliqi mendon se nën presionin e elementëve pro-serbë dhe pro-rusë, Qeveria në Podgoricë mund të ndërmarrë ndonjë veprim që do t’i komplikonte marrëdhëniet me Prishtinën zyrtare.
“Incidentet që janë shkaktuar, përfshirë edhe këtë në Kosovë, gjithsesi duhen parë në aspektin e krizës së atjeshme të brendshme për pushtet, por edhe tensionet në rrafshin Beograd-Podgoricë, gjithsesi edhe me rolin e Moskës. Duke e pasur parasysh këtë gjë, Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e kujdesshme për të mos rënë në grackat e lojërave që e kanë qendrën në Rusi dhe në Beograd”, u shpreh Maliqi.
Maliqi beson se këto janë provokime që kanë për qëllim të acarojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat, deri vonë, “ishin të shkëlqyeshme”.
Ai shton se është shqetësuese që në dy javët e fundit, raportet Kosovë-Mali i Zi janë përshkuar me tensione, fillimisht për çështjen e pronave dhe tani me arrestimin e Jovanoviqit.
Duke komentuar thirrjet e shumicës në pushtet në Mal të Zi për reagime më radikale, siç është mbyllja e kufijve dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, analisti nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, thotë se ndërmarrja e këtyre veprimeve është joreale dhe joserioze.
“Pritje të tilla nuk i përkasin realitetit dhe nuk janë diçka që një shtet serioz bën në raste të tilla. Unë mendoj se veprime të tilla janë joproduktive për vetë Jovanoviqin dhe situatën në të cilën ai gjendet, sepse autoritetet gjyqësore në Kosovë mund ta perceptojnë një gjë të tillë si presion mbi punën dhe vendimmarrjen e tyre”, tha ai.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovë më 2008, tetë muaj pasi Prishtina e shpalli pavarësinë.
Vendimi për njohjen e Kosovës u mor nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit Millo Gjukanoviq, që humbi zgjedhjet në Mal të Zi gushtin e vitit të kaluar.
Atëbotë, opozita e udhëhequr nga Lista Serbe, që drejtohej nga Adrija Mandiq – tashmë lider i Frontit Demokratik – organizoi një protestë në Podgoricë, duke kërkuar që vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës të anulohet.
Protesta ishte përshkallëzuar në dhunë, ku kishte pasur përplasje midis protestuesve dhe policisë.
Për shkak të vendimit të Podgoricës për ta njohur Kosovën, Beogradi zyrtar e kishte shpallur person të padëshiruar ambasadoren e atëhershme të Malit të Zi në Serbi, Anka Vojvodiq, e cila u dëbua nga Serbia.
Një vit pas kësaj, Serbia miratoi vendimin që Mali i Zi të dërgonte në Beograd ambasadorin e tij./REL/
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?