Kritere të paqarta për të vlerësuar projektet fituese, por edhe për të ndarë fondet për realizimin e tyre.
Kjo është një prej vërejtjeve që Antikorrupsioni ia ka adresuar Ministrisë së Kulturës lidhur me projektet fituese të Programit vjetor me interes nacional në kulturë.
Pas bllokimit të fondeve për realizimin e një pjese të projekteve nga programi i vitit të kaluar, Ministria e Kulturës është treguar e rezervuar për të dhënë detaje mbi projektet që prej gati pesë muajsh janë vënë nën llupën e revizionit. Nga ky institucion kanë deklaruar vetëm se bëhet fjalë për një vlerë totale prej 70.776.722 denarë, pra mbi 1 milion euro, për të cilat ka dyshime për keqpërdorime.
“Ne presim që Policia Financiare dhe Antikorrupsioni të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të sqarojnë abuzimet e mundshme”, deklarojnë nga Ministria e Kulturës. Hetimi i brendshëm ka nisur një ditë pas ardhjes në krye të Ministrisë së Kulturës së Irena Stefoskës, në periudhën prej 1 shtatorit 2020 deri më 31 janar 2021. Për shkak të projekteve të parealizuara dhe dokumentacionit të çrregullt financiar, Ministria ndërpreu kontratat.
“Ministria e Kulturës, siç kemi informuar tashmë, kreu një audit të brendshëm. Rezultatet e auditimit u dërguan në Ministrinë e Financave, Policinë Financiare dhe në Antikorrupsion. Në përputhje me konkluzionet e miratuara nga seanca e Qeverisë, Ministria e Kulturës nuk do t’i paguajë fondet përdoruesve të tjerë deri në përfundimin e kontrolleve financiare, në mënyrë që të mbrojë fondet e buxhetit. Të gjitha informacionet do të dihen pas kontrolleve të përfunduara, për të cilat organet e thirrura duhet të komentojnë më hollësisht”, ka deklaruar nga Ministria e Kulturës.
Anekset e marrëveshjeve për të shtuar fondet dhe miratimi i projekteve të apeluara u bënë gjatë muajve qershor dhe korrik, në kohën kur ministria drejtohej nga ish-ministri Hysni Ismaili, i cili për “Telma” ka deklaruar se “vendimet e marra për projekte të tilla janë të komisioneve përkatëse në Ministrinë e Kulturës, anëtarët e të cilëve janë profesionistë në këtë fushë dhe nga i gjithë komuniteti etnik. Sipas praktikës së deritanshme brenda institucionit të kulturës projektet fituese në Konkursin vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë përveç filtrit të Komisionit nuk mund të kalojnë “pa aminin” e hierarkëve kyç që drejtojnë dikasterin e kulturës.
Një prej rasteve të ngjashme ishte me Programin e kulturës të vitit 2018, ku skandali me abuzimet u bë më i rëndë me denoncimin e bërë nga anëtari shqiptar i komisionit të muzikës, sipas të cilit projektet e refuzuara prej tij u miratuan nga eprorët, pa u marrë parasysh argumentimi profesionist. Skandali i Programit 2018 u mbyll me prishjen e kontratave për vetëm 10 projekte në vlerë prej 9.219.000 denarësh./Koha
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...