Maqedonia e Veriut gjatë 29 vjetëve të pavarësisë, ka bërë përparime të mëdha, por edhe gabime të cilat i kanë kushtuar humbje kohe për arritjen e synimeve të saja kryesore: anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Stojan Andov, kryetar i parë i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai ka drejtuar institucionin ligjvënës në vitin 1991 kur vendi shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia. Sikur në atë kohë të mos bëheshin disa gabime, thotë Andov, vendi mund të ishte shumë më herët pjesë e strukturave euroatlantike, ndërsa nuk do të ndodhte edhe konflikti në vitin 2001.
Gabimet, sipas tij, janë bërë në raportet me shqiptarët, të cilët bojkotuan referendumin për pavarësi si dhe miratimin e Kushtetutës së parë, e cila Maqedoninë e atëhershme e definonte si shtet ekskluzivisht të maqedonasve.
“Sigurisht që kishte gabime. Nuk duhej që të vinim deri te konflikti në vitin 2001, pasi disa çështje mund të zgjidheshin më herët, por ja që u vonuam. E dimë se në referendumin për pavarësi nuk dolën votuesit shqiptarë… Qysh atëherë gjërat mund të vendoseshin më ndryshe. Siç edhe e dimë, deputetët shqiptarë nuk e votuan as Kushtetutën e parë në vitin 1991. E gjithë kjo duhet të shërbente si mësim, por ja që u veprua pak me kokëfortësi. Mendonim se mund të bëhemi pjesë e NATO-s me disa operacione që zhvilluam brenda shtetit në vitin 1993. Ne e donim Perëndimin, por nuk kishin përvojë, kështu që na u ngatërruan punët dhe u vonuam”, thotë ish-kryetari i kuvendit, Stojan Andov.
Drejtuesit e institucioneve, si të arriturën më të madhe të vendit që nga shpallja e pavarësisë, kanë theksuar anëtarësimin në NATO dhe pritjet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, mbylljen e kontesteve me fqinjët, zgjidhjen e problemeve të brendshme ndëretnike përmes Marrëveshjes së Ohrit, por edhe përballjen me sfida tjera.
Shpëtim Pollozhani, kryetari i shoqatës së ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë shqiptarë, të cilët që në kohën e monizmin u angazhuan për barabarësinë e shqiptarëve, nuk është i kënaqur me të arriturat gjatë kësaj periudhe pavarësie.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë kërkesa ende nuk kanë gjetur zgjidhjen e plotë, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare e përfaqësimi i drejtë në institucione, ndërsa flet edhe për vlerësimet lidhur me anëtarësimin e shtetit në NATO.
“NATO-ja e ka projektin e vet dhe kështu e ka futur në gjirin e saj. Pra, mendoj se më tepër është meritë e NATO-s për anëtarësim e saj në këtë aleancë sesa meritë e klasës politike të Maqedonisë së Veriut. Nuk mendoj se gjërat kanë ndryshuar për të mirë, pasi sikur të ndryshonte për të mirë, atëherë do të zvogëlohej numri i atyre që e lënë vendin dhe ikin. Puna tregon se dukuritë ndryshojnë për të keq. Kjo i detyron të gjithë kuadrot që nuk tregojnë serivilitet ndaj partisë në pushtet, kuadro që janë me dinjitet, që janë profesionist, që janë të ngritur, që kanë një qëllim, që kanë një ëndërr, ata largohen”, thekson Pollozhani.
Ai thotë se ky shtet mund të ketë sukses vetëm nëse hiqen paragjykimet mes njerëzve.
“Nëse nuk ndryshon mentaliteti politik se ‘shqiptari i ndershëm është shqiptar i manipulueshëm’, do të mbytemi në të njëjtën anije, të dy palët, edhe ne edhe maqedonasit. Nëse ata ndryshojnë mentalitetin hegjemon ndaj shqiptarëve, edhe ata do të ndryshojnë mentalitetin ndaj vetvetes, atëherë mendoj se punët mund të lëvizin”, shprehet Pollozhani.
Temelko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese thotë për Radion Evropa e Lirë se të arritura janë shënuar, por jo edhe ngritje e vetëdijes për përgjegjësitë ndaj shtetit.
“Mendoj se kemi arritur shumë. Për herë të parë në historinë tonë maqedonase kemi shtet të pavarur, demokratik, sovran, shtet maqedon. Kemi arritur të bëhemi pjesë e NATO-s, ndërsa presin edhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, kemi edhe dobësitë tona të sjelljes ndaj shtetit, ende nuk kemi vetëdije të lartë për përgjegjësitë që duhet të kemi ndaj shtetit në përgjithësi. Te ne ende ka korrupsion të lartë, ende nuk kemi shkallë të lartë të përgjegjësisë, ende kemi të theksuar individualizmin duke lënë anash interesat shoqërore e shtetërore. Këto janë disa faktorë që po pengojnë rrugën tonë drejtim zhvillimit dhe përparimit, të shtetit dhe shoqërisë”, thotë Ristevski.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...