Google ADS

Analistët: Ndryshimi i ligjit të shtetësisë rrezikon seriozisht pavarësinë e Malit të Zi

22:10 | 7 Shtator 2024
R J

Analistët në Mal të Zi vlerësojnë se ndryshimet e kërkuara në ligjin e shtetësisë synojnë ndryshimin e mundshëm të strukturës së popullsisë për të ndikuar rezultatet zgjedhjeve te ardhshme.

Analistët në Malin e Zi vlerësojnë se ndryshimet e kërkuara në “Ligjin e shtetësisë” malazeze, e cila do të mundësonte shtetësinë e dyfishtë do të përbënte një kërcënim serioz për pavarësinë dhe rendin juridik të Malit të Zi.

Analisti dhe publicisti i njohur Muzafer Beli Çaushi tha se kjo është një kërkesë e pushtetit të ri që ka për qëllim ndryshimin e mundshëm të strukturës së popullësisë në këtë vend.

“Çështja e dyshtetësisë në Malin e Zi është aktualizuar veçanërisht prej ardhjes së pushtetit të ri. Kjo është një kërkesë e partive pro-serbe që kanë për qëllim ndryshimin e strukturës demografike të popullësisë në këtë vend”, thotë zoti Beli Çaushi.

Edhe analisti Ismet Kallaba beson se ky ligj ka për qëllim ndryshimin e numrit të votuesve , që dukshëm do të ndikonte në zgjedhjet e ardhshme në Malin e Zi.

“Nisma për ndryshimin e Ligjit të shtetësisë ka të bëjë me qëllime politike. Serbia ka shfrytëzuar në dy palë zgjedhje ligjin për dy shtetësinë duke i shfrytëzuar serbët që jetojnë në republikën Serbe apo edhe në Kosovë për të ndikuar në zgjedhje. Mendoj që ky është qëllimi i nismës dhe paralajmërimit për ndryshimin e Ligjit të shtetësisë,” tha zoti Kallaba.

Analisti Kallaba shkon edhe më tej në vlerësim e tij duke theksuar se e drejta e votës, përfshinë edhe të drejtën për referendum gjë e cila rrezikon shtetësinë e Malit të Zi.

“Shikuar nga njëri aspekt, e drejta e votës mund të thuhet se përfshinë edhe të drejtën e referendumit. Megjithatë kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe mendoj se ndryshimi i këtij ligji do të kishte pasoja për të ardhmen e Malit të Zi dhe për pavarësinë e tij,” tha analisti Kallaba.

Analisti Beli Çaushi tha se duke ditur se kush dominon në pushtetin aktual, të gjitha këto nisma kanë për qëllim minimin e shtetësisë dhe pavarësinë e Malit të Zi.

“Në pushtet gjenden ato forca politike që haptazi dhe pa asnjë ngurrim kërkojnë dhe mbështesin një status tjetër politik të Malit të Zi. Ata janë për ndryshimin e shtetësisë dhe të pavarësisë së malit të Zi dhe mundësisht krijimin e një realitetit të ri në rajon”, tha analisti Beli Çaushi.

Analistët nënvizojnë se Ligji për shtetësi të dyfisht është pjesë e fushatës së posaçme të partive pro-ruse dhe pro-serbe, që viteve të fundit kanë shtuar luftën politike kundër Podgoricës për ta shfuqizuar mundësisht shtetin e Malit të Zi dhe kombin malazez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme