Partitë politike shqiptare, edhe pse akoma nuk e kanë pranuar propozim/ligjin e VMRO-DPMNE-së për amnisti të plotë për të akuzuarit e 27 prillit, parimisht shprehen kundër tij.
Për BDI-në, zgjidhja duhet të gjendet përmes komisionit për falje i cili formohet me qëllim të tejkalimit të pengesave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Akoma nuk e kemi pranuar ligjin e propozuar për amnisti nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe në fakt ky si proces është pak i çuditshëm sepse udhëheqësia e kësaj partie parlamentare gjatë gjithë kohës ishte kundër amnistisë dhe se nuk kanë kërkuar dhe nuk kanë propozuar amnisti. Ne si parti politike jemi absolutisht kundër nismave të tilla dhe vlerësojmë se një process i pajtimit duhet të dakordohet brenda grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.
Një qëndrim të ngjashëm por pa potencuar nëse janë “për” ose “kundër” amnistisë së propozuar nga VMRO-ja, kanë edhe nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit.
“Ne jemi të interesuar që procesi të vazhdojë dhe sa më shpejt të bëhemi pjesë e NATO-s. Sa i takon mundësisë së ndonjë amnistie, do ta shqyrtojmë bashkë me partnerin tonë qeveritar dhe do të deklarohemi. Si Lëvizje BESA do të jemi në Kuvend edhe pjesë e komisionit ose trupit punues për pajtim dhe do ta japim kontributin tonë në këtë drejtim“, pohoi Lëvizja Besa me kryetar Afrim Gashin.
Nga Besa e Bilall Kasamit, kërkojnë që çështjet gjyqësore të marrin epilog gjyqësor dhe jo të zgjidhen përmes Kuvendit.
“Një ligj i tillë i amnistisë vetëm se do t’i keqësonte proceset demokratike, vetëm se do t’i trimëronte strukturat e ndryshme të cilët i kanë future duart e veta në veprime kriminogjene, në krim të organizuar, në korrupsion, që edhe më tej ta vazhdojnë veprimtarinë dhe aktivitetin e vet. Vlerësojmë se ligji për amnisti nuk do të zgjidhte probleme por vetëm se do t’i komplikonte. Ne themi se të gjithë ata që ballafaqohen me sistemin e drejtësisë duhet të gjejnë drejtësi të vërtetë, të plotë, përmes institucioneve të drejtësisë dhe jo përmes ligjeve të cilat në parlament dëshirojnë t’i kalojnë“, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Lidhur me propozim/ligjin e VMRO-së për amnisti nga Aleanca për Shqiptarët nuk u prononcuan por lideri i saj Ziadin Sela së fundmi ka deklaruar se askush nuk do të ketë guximin të kërkojë prej tij të falen dhunuesit. Për LSDM-në ky propozim është i papranueshëm. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se një ligj i tillë ndërhynë në punën e pavarur të gjyqësorit./Alsat m
“Armë, karikator, 4 fishekë, 3 gëzhoja”, policia...
Shkencëtarët zbulojnë koralin më të madh në botë
Vrasja e dyfishtë në Klinë, i arrestuari është djali i ish-k...
FSSHK paralajmëron protestë para Ministrisë së Shëndetësisë
Plagosja e policit në Fushë Kosovë, vetëdorëzohet i dyshuari
Kurti e Vitia vizitojnë punimet në Klinikën Hemato-Onkologji...