Të gjithë fuqitë politike në Maqedoninë e Veriut ju referohen miqve ndërkombëtar kur flasin për të ardhmen e vendit.
Për këtë telegrafi maqedoni ka biseduar me ambasadoren e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kate Marie Byrnes për të folur për tema aktuale dhe problemet që i ka vendi jonë për rrugëtimin drejt aspiratave euro-atlantike.
A do ndikojë ndryshimi i pushtetit në SHBA në politikën e jashtme amerikane, dhe qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut?
Së pari, ju faleminderit për mundësinë për të biseduar me ju sot e për të shtjelluar tema të rëndësishme.
Maqedonia e Veriut gjendet në një periudhë vendimtare. Vendi është i gatshëm për të filluar negociatat për anëtarsim në BE, tashmë një vit është zyrtarisht në NATO ndërsa e gjithë kjo po ndodh në një kohë kur botën e ka kapluar pandemia. Çështja kryesore tani është që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të lëviz para në rrugën Euro Atlantike.
Natyrisht, kriza e COVID-it po thith kapacitetet, mirëpo është me rëndësi të ruhet tempoja dhe të mbahet fokusi në nevojat e ngutshme për vendin: ndërtimi i një demokracie stabile me ekonomi të fuqishme, themelet e së cilës kundërshtojnë korrupsionin dhe me këtë, ofrojnë mundësi dhe shpresë për gjeneratat e ardhshme.
Sa i përket ndryshimit të pushtetit në SHBA, është me rëndësi të potencohet se Shtetet e Bashkuara tashmë tre dekada kanë marrëdhënie të fuqishme dhe pozitive me vendin tuaj. Bashkëpunimi ynë i fuqishëm do të vazhdojë, dhe më tej do të forcohet edhe me administratën e Biden-Harris. Ne kemi interesa dhe qëllime të përbashkëta, dhe unë shpresoj të vazhdojmë të punojmë së bashku në zgjërimin dhe përforcimin e partneritetit tonë.
Si e vlerëson SHBA “luftën” e Maqedonisë së Veriut me pandeminë globale COVID-19?
Kjo pandemi është territor i panjohur për të gjithë. Askush prej nesh nuk mund të parashikonte nivelin e humbjeve dhe sfidave me të cilat u ballafaquam dhe vazhdojmë të ballafaqohemi.
Shumë herë e kam thënë se sa të impresionuar jemi me mënyrën në të cilën ky vend, sidomos personeli shëndetësor po ballafaqohet me krizën, dhe sa e qëndrueshme u tregua popullata në ballafaqimin me këto sfida të mëdha.
Nuk ka qenë lehtë. Të gjitha vendet po mundohen të gjejnë mënyrën si të mbetet prioritet shëndeti publik, e në të njejtën kohë të kihet parasysh dëmi që ka shkaktuar kjo krizë në jetët e njerëzve.
Lufta kundër COVID nënkupton vendime të rënda dhe sakrifica të mëdha: mbyllja e përkohshme e shumë bizneseve, sidomos atyre që janë në industrinë e hotelierisë dhe gastronomisë; kalimi në mësimin online, me të gjitha pasojat direkte e indirekte; ndërprerja e beftë e kontakteve me familjen dhe miqtë; shumë orë të kaluara në izolim gjatë valës së virusit; dhe këto janë vetëm disa shembuj. Sfidat nuk kanë mbaruar, mirëpo me gjithë sinqeritetin ju premtoj se do të qëndrojmë pranë si partner derisa të tejkalojmë së bashku këtë stuhi.
Për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të pandemisë, Shtetet a Bashkuara kanë dhënë mbi 6.7 milion dollarë ndihmë për Maqedoninë e Veriut, kryesisht ndihmë të drejtpërdrejtë për t’u ballafaquar me pandeminë, për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale, dhe përgatitje për shpërndarjen e vaksinave. Kësaj ndihme i paraprin një mbështetje dy dekadëshe dhe 11.5 milionë dollarësh investime amerikane për të ndihmuar përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, si përgatitje për t’u ballafaquar me kriza si kjo. Nga partneriteti ynë kemi mësuar shumë mbi rëndësinë e sigurisë shëndetsore si pjesë e marrëdhënieve strategjike me Maqedoninë e Veriut.
Cilat janë hapat konkret që duhet të ndërmerren, sipas SHBA-ve, për një gjyqësor të pavarur në Maqedoninë e Veriut?
Si anëtare tashmë e NATO-s dhe e gatshme për të filluar negociatat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut duhet të jetë e gatshme për vëzhgim më rigoroz, sidomos kur bëhet fjalë për përforcimin dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, dhe sigurimit të drejtësisë së paanshme dhe apolitike.
Reforma e sektorit juridik është padyshim hap kritik drejt anëtarësimit në BE. Por edhe pavarësisht BE-së, një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është element kyç në çdo demokraci që u përgjigjet nevojave të qytetarëve. Rrjedhimisht, reforma në gjyqësor është thelbësore për të krijuar një shoqëri të drejtë, me një sektor privat të zhvilluar që ofron mundësi ekonomike dhe stimulon investimet dhe krijimtarinë.
E për të arritur këtë, nevojitet udhëheqje e fuqishme që do të shërbejë si shembull. Nivelet më të larta të gjyqësorit – Këshilli gjyqësor dhe Gjykata e lartë – si dhe gjykatësit dhe prokurorët, të gjithë duhet të vendosin standard duke qenë model për nivel më të lartë të vlerave etike, me shoqata profesionale të fuqizuara për të siguruar që këto vlera respektohen.
Kjo është punë e vështirë dhe kërkon jo vetëm refoma thelbësore, por edhe kujdes dhe vëmendje të vazhdueshme. Kjo gjithashtu duhet të mbështetet me resurse të mjaftueshme, pasi nuk ka mundësi për pavarësi të vërtetë pa pavarësi financiare. Kjo do të thotë që gjyqësori duhet patjetër të ketë kapital të mjaftueshëm njerëzor, teknologji, dhe hapsira për të kryer punën në mënyrë efektive.
Digjitalizimi, në veçanti, është bërë tejet i rëndësishëm për administrim të drejtë dhe efikas të drejtësisë dhe të një gjyqësori të përgjegjshëm. Dua të ritheksoj – të drejtë dhe efikas. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, thonë, andaj, duke u siguruar që rastet nuk do të zvarriten me vite pa u hetuar dhe ndjekur siç duhet është me rëndësi thelbësore jo vetëm për të siguruar drejtësi, por edhe për të ndërtuar besimin e publikut në sundimin e ligjit.
Akoma ekziston përshtypja që njeriu mesatar është më i nënshtruar ndaj ndëshkimeve për shkelje (e megjithatë mbetet i pa zë në sistemin e korruptuar), ndërsa për ata që janë lartë, me lidhje të mira, apo që kanë të holla, vlejnë standarde të ndryshme të drejtësisë. Në skenarin më të mirë, kjo krijon pabarazi dhe pakënaqësi dhe promovon eksod të mëtejmë të njerëzve të talentuar që kërkojnë mundësi gjetiu; e në skenarin më të keq, fton në reagim të ashpër dhe paraqet ftesë për populizëm dhe demagogji që shpiejnë në erozion të mëtejmë të vlerave qytetare.
Marrëdhëniet Maqedoni e Veriut-Bullgari, a ka dritë në fund të tunelit? Ku dhe kur e sheh zgjidhjen?
Ne jemi të bindur që kjo çështje do të zgjidhet në muajt në vijim përmes një dialogu të vazhdueshëm. Ne të gjithë jemi pjesë e familjes së NATO-s dhe si të tillë të gjithë kemi interes të plotë të sigurojmë që kjo situatë të mos acarohet, dhe që vonesa në fillimin e bisedimeve për anëtarësim të mos zgjatet.
Natyrisht, Shtetet e Bashkuara ishin tejet të dëshpëruara nga vendimi i Bullgarisë për të bllokuar fillimin e bisedimeve, por edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Bullgaria kanë mbështetur fuqimisht integrimin Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor, dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE mbetet interes i yni i përbashkët.
Në javët në vijim do të vazhdojmë të inkurajojmë të dy palët të bëjnë hapa para që bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE të shënojnë lëvizje. Gjithashtu, do të vazhdojmë të bëjmë thirrje që zgjidhjet e çështjeve bilaterale të bëhen jashtë dhe pavarësisht procesit për anëtarësim në BE.
Në ndërkohë, është me rëndësi që qeveritë e të dy vendeve të vazhdojnë të demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë dhe të zgjidhin këtë çështje në frymën e njejtë të kompromisit konstruktiv që karakterizoi marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është koha për të ndërtuar urra dhe për t’u larguar nga retorika të nxehta të papërshtatme për aleatë.
Cilat duhet të jenë prioritetet në të cilat do të duhet të fokusohet shteti dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021?
Prioriteti kryesor që duhet të motivojë të gjithë në tërë vendin është nevoja për t’u përqëndruar në krijimin e ambientit i cili gjeneron mundësi për të rinjtë, të cilët janë ardhmëria e këtij vendi e që po emigrojnë në numra alarmues.
Kur bisedoj me të rinjtë këtu, që është pjesa më inspiruese e punës time, vazhdimisht befasohem nga inicijativat e tyre, nga intelekti, motivimi, dhe nga ajo që ata premtojnë. Ata janë ambiciozë, dhe dëshirojnë të arrijnë sukses jo vetëm në aspektin personal, por edhe të japin kontribut të dukshëm në shoqërinë e tyre. Gjëja e vetme që i largon ata nga kjo frymë është korrupsioni endemik.
Lufta kundër korrupsionit nuk është një qëllim përfundimtar në vetvete. Ajo është parakusht për të arritur qëllimet. Pavarësisht nëse është fjala për një zyrtar të lartë që kërkon mitë, një zyrtar lokal që kërkon ryshfet për të siguruar një shërbim esencial, një zyrtar i organeve të rendit që kërkon të holla nga një vozitës për shkelje të sajuar, shpërblimi i një miku me pozitë mirë të paguar qeveritare, apo pritshmëria për një pagesë të vogël për të siguruar vend në shkollën apo spitalin e duhur – korrupsioni është kancer që vret themelet e shoqërisë.
Sinqerisht – raporte për këtë lloj sjelljeje mund të dëgjosh në tërë vendin. Kjo sjellje dhe tolerimi i saj nga qeveria dhe nga populli shkatërrojnë besimin e njerëzve në demokraci, zvogëlojnë inovacionin dhe kreativitetin, pengojnë zhvillimin ekonomik, pengojnë progresin, dhe në fund të fundit, u mohojnë njerëzve dinjitetin e tyre. Korrupsioni gjithashtu krijon çarje të cilat ndikimet e këqija të jashtme dhe të brendshme i shfrytëzojnë si pika hyrëse për të përhapur mosmarrëveshje dhe dëshpërim. Aty ku reformat dhe politikat janë softueri, korrupsioni është virusi në sistemin operativ. Andaj, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e qeverisjes së mirë, por baza e vetëmbrojtjes.
E gjitha fillon me përgjegjësinë. Qeveria – nga nivelet më të larta e deri tek zyrtarët më lokal, patjetër duhet të aspirojë standardet më të larta etike. Partitë politike duhet të sigurohen që shërbejnë si shembull për një sjellje të duhur dhe nuk janë thjeshtë “më të mirë se të tjerët.” Ato duhet të punojnë ta luftojnë korrupsionin nga koka e deri në nivelet poshtë brenda partive të tyre dhe në vendet ku janë zgjedhur, dhe t’i lejojnë gjyqësorit të ndjekë rastet pa ndërhyrjen politike.
Vetëm duke i demonstruar gjeneratës së ardhshme se askush nuk qëndron mbi ligjin dhe se sistemi është i drejtë, ata do të kenë besimin të investojnë në ardhmërinë e tyre këtu në vend se të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit.
Pra, nëse duhet të përçoj një porosi, ajo është se të gjithë duhet ta marrin këtë problem me shumë seriozitet. Vetëm së bashku, kolektivisht, ne mund të largojmë këtë pengesë nga rruga e Maqedonisë së Veriut drejt ardhmërisë, dhe vetëm në atë mënyrë do të përçojmë tek të rinjtë e këtij vendi shpresë për një të nesërme më të mirë dhe më të begatë.
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...