Google ADS

Ambasadori rus: Themelet e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut janë në luftën antifashiste

16:11 | 28 Janar 2020
A. B.

Filmi dokumentar “Travniki: shkolla për xhelat”, u shfaq sot në Qendrën memoriale të holokaustit të hebrenjve nga Maqedonia, me rastin e 75-vjetorit të çlirimit nga kampi i vdekjes “Auschwitz-Birkenau”.

Në projeksionin, që u organizua nga Ambasada Ruse në Shkup dhe Fondi i holokaustit të hebrenjve, ambasadori rus Sergei Bazdnikin tha se filmi tregon për kampin e stërvitjes së aradhave gjermane, ku robërit e luftës përgatiteshin për siç tha ai, “punë” në kampet e vdekjes Belzec, Sobibor, Treblinkë, Majdanek dhe Auschwitz, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai bëri thirrje që bota t’i kundërvihet çdo akti të ksenofobisë dhe antisemitizmit.

“Rusia i kushton vëmendje të madhe luftës kundër neonazizmit dhe jotolerancës. Në pajtim me këto përpjekje në suaza të KB-së, me nismë të vendit tonë, Asamblea e Përgjithshme çdo vit miraton rezolutë kundër glorifikimit të nazizmit”, tha Bazhdnikin, i cili theksoi se nuk guxon të lejohet falsifikim i historisë.

Ai i bëri vërejtje Republikës së Maqedonisë së Veriut se nuk e ka mbështetur atë rezolutë, e cila nuk ka hasur në mbështetje as nga vendet e BE-së, ndërsa SHBA-ja dhe Ukraina kishin votuar kundër.

Ambasadori rus tha se themelet e shtetësisë së RMV-së bazohen në luftën antifashiste dhe se shteti në të ardhmen do të numërohet në mesin e atyre që e mbështesin atë dokument, i cili në dhjetor të vitit 2019 mori mbështetje nga 133 vende.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme