Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se idea për kryeministrin shqiptar daton që nga viti 2009.
Duke iu përgjigjur kritikëve që thonë se partia e tij duhet të kalojë në opozitë, ai thotë se votuesit vendosin se kush do të jetë pjesë e qeverisë e kush jo.
Zoti Ahmeti e cilëson si “vijë e kuqe” që nuk mund të kapërcehet Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe atë për miqësinë me Bullgarinë.
Ai flet për ngritjen e standartit dhe të kushteve të jetesës në mënyrë që të rinjtë të mos shpërngulen nga vendi. Me zotin Ahmeti bisedoi korrespondenti ynë Isak Ramadani.
ZËRI I AMERIKËS: Z. Ahmeti, keni habitur partitë politike, si maqedonase dhe shqiptare, me nxjerrjen e kandidatit të parë shqiptar për kryeministër, duke ditur se një partie shqiptare deri tani nuk i është dhënë mandati për ta formuar qeverinë. A mund ta shpjegoni këtë strategji?
ALI AHMETI: Më vjen keq që kundështarët e mi, kolegët e mi që kanë marrë përsipër të drejtojnë subjekte politike, si tek maqedonasit edhe shqiptarët, nuk i studiojnë, nuk i analizojnë dokumentet e rëndësisë së veçantë, të kongreseve të partive, në veçanti tani në rastin konkret të Kongresit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Kjo ide nuk la lindur sot, por është e vendosur në vitin 2009, në Kongresin II të BDI-së. Për këtë edhe Zëri i Amerikës ka bërë një korrespondencë dhe ka pasqyruar 12 funksionet e rëndësisë së veçantë të shtetit, për të cilat kemi synuar që t’i marrim dhe t’i drejtojmë si shqiptarë, sepse këto funksione si: presidenti, kryeministri, ministri i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme, drejtori i sigurimit të shtetit, Guvernatori i bankës popullore, Gjykata Supreme, Gjykata Kushtetuese, për shqiptarët kanë qenë të paimagjinueshme që një ditë mund të drejtohen nga një shqiptar. Ku është arsyeja që një shqiptar të mos jetë kryeministër i këtij shteti? Në këtë vend njerëzit duan zhvillim ekonomik, duan paqe, stabilitet, siguri.
ZËRI I AMERIKËS: Përtej debateve për kryeministrin, cila është oferta juaj reale në aspektin ekonomik e social për votuesit?
ALI AHMETI: Deri tani ne jemi përballur me tema shumë të rëndësishme që kishin të bënin drejtpërdrejt me stabilitetin dhe ardhmërinë e vendit, por jo vetëm stabilitetin e republikës sonë. Vendi ynë u anëtarësua në NATO, hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne po përpiqemi duke zbatuar standardet të rrisim mirëqenien e standartin e qytetarëve; të krijojmë kushte, rrethana më të mira, qoftë për biznesin vendor që është me përparësi për ne, qoftë edhe për investitorët e huaj. Të krijojmë kushte për të rinjtë që ardhmërinë e tyre ta shohin në vendin e tyre.
ZËRI I AMERIKËS: Me fillimin e fushatës po shihet një përplasje mes LSDM-së dhe BDI-së. Zoti Zaev rekomandon se do të ishte më mirë për shtetin dhe për partinë tuaj nëse në katër vitet e ardhshme kaloni në opizitë. Si i përgjigjeni atij?
ALI AHMETI: Se çka është më e mirë për shtetin – vendosin votuesit. Se ku do të jetë pozita e BDI-së në të ardhmen, vendos elektorati shqiptar, votuesi shqiptar dhe nuk vendos asnjë njeri tjetër, as Zoran Zaevi e as Hristijan Mickovski, por vendosin shqiptarët. Dhe unë nuk dua të merrem me paragjykime e me situata hipotetike, por ja që kjo i ngjan sikur unë t’i them Zoran Zaevit se më e besueshme për mua është se ai nuk do të jetë kryeministër në të ardhmen se sa a do të jetë BDI pjesë e qeverisë apo jo. Dhe nuk i ka hije asnjë politikani që të përcaktojë vendin se ku e ka njëri apo tjetri. Është elektorati, janë qytetarët ata që do të vendosin ku do të jetë Bashkimi Demokratik për Integrim.
ZËRI I AMERIKËS: Nga ana tjetër, ju keni lënë të kuptohet në një mënyrë se parapëlqeni koalicionin qeveritar me LSDM-në. A vlen parimi i juaj i mëparshëm se ‘fituesi shkon me fituesin’ në qeveri?
ALI AHMETI: Po, e kam thënë se për ne do të ishte mirë sikur të vazhdonim me partnerin e njëjtë (qeveritar), sepse kanë mbetur ende ca tema… Kemi përmbyllur tema të rëndësisë së veçantë, mirëpo në fund të kësaj situate janë qytetarët që do të bëjnë zgjedhjen e tyre më 15 korrik, në zgjedhje. Dhe për ne do të jetë i respektueshëm vullneti i shumicës së qytetarëve.
ZËRI I AMERIKËS: Nëse LSDM-ja i fiton zgjedhjet, ashtu siç parashikojnë sondazhet dhe ju ngeleni jashtë qeverisë, çfarë do të thoshte kjo për BDI-në?
ALI AHMETI: Unë nuk paragjykoj se si do të jetë rezultati në zgjedhje, a do të jetë fituese Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por e di një gjë – se në bazë të sondazheve, anketave që bëhen, pozitat e Bashkimit Demokratik për Integrim janë në nivel të kënaqshëm dhe më vjen keq që përsëri në këto zgjedhje shqiptarët nuk dalin në dy blloqe, ashtu siç është i organizuar komuniteti maqedonas, por përsëri janë të parcializuar dhe shpresoj që të jetë ky cikli i fundit zgjedhor që shqiptarët dalin me shumë subjekte në garë, në zgjedhje. Le të mësojnë të gjithë nga e kaluara se para katër vjetësh ne kemi humbur dhjetë mandate (deputetësh) si shqiptarë duke garuar të ndarë.
ZËRI I AMERIKËS: Në fushatë lihet përshtypje se po merreni shumë me të kaluarën, në spotet tuaja publicitare mbizotërojnë pamje të UÇK-së, ndërsa ju kritikojnë për mos-rregullimin e statusit të ish-luftëtarëve.
ALI AHMETI: Ne nuk i kemi bërë këto spote me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare as për ta shtuar përkrahjen, as se kemi qenë të rrezikuar dhe se kishim nevojë për një impuls për ta kujtuar të kaluarën. Pikërisht, mesazhi që jepen në këto spote me UÇK-në është për të kujtuar të gjithë ata që e kanë harruar të kaluarën. Dhe unë kam shumë argumente se ka shumë që e kanë harruar të kaluarën, sidomos nga komuniteti maqedonas. Duhet t’i rikujtojmë se ajo e kaluar është shumë e dhimbshme dhe ato spote jepen që ajo e kaluar të mos përsëritet, por të shohim të gjithë bashkë se si duhet të ndërtohet e ardhmja. Dhe e ardhmja ndërtohet duke pasur komunikim e bashkëpunim. Sa i takon ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ne kemi bërë përpjekje maksimale që të gjithë ata të cilët kanë qenë të kualifikuar e të përgatitur të sistemohen në administratën e shtetit, në polici, në ushtri. Sigurisht që ka ndonjë rast të veçantë që do trajtim, por kurrë nuk janë lënë jashtë kujdesit dhe kurrë nuk do të mbeten jashtë. Sigurisht, nuk ka ndonjë që do të interesohet më së shumti se BDI-ja që është një strukturë e dalë pikërisht nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
ZËRI I AMERIKËS: A besoni se VMRO-ja do të anulonte marrëveshjet me Greqinë për emrin e Maqedonisë së Veriut dhe me Bullgarinë për çështjen e historisë, nëse vjen në pushtet?
ALI AHMETI: Për Bashkimin Demokratik për Integrim nuk do të ketë as komunikim, as bashkëpunim, as partneritet çdo subjekt që tenton sadopak të cënojë Marrëveshjen e paqes së Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë (me Bullgarinë). Këto janë vijat e kuqe që i ka Bashkimi Demokratik për Integrim. Çdokush që mendon ta kthejë vendin pas, nuk ka partneritet e bashkëpunim me ne. Dhe unë jam shumë i sigurt që këto çështje madhore janë gurthemeli i paqes, qëndrueshmërisë, sigurisë dhe ardhmërisë së këtij vendi dhe askujt të mos i shkojë mendja për t’i prekur.
ZËRI I AMERIKËS: Z. Ahmeti, nëse, eventualisht BDI-ja nuk del me sukses në këto zgjedhje, a jeni i gatshëm të bartni përgjegjësi?
ALI AHMETI: Unë e kam thënë në çdo cikël zgjedhor që nëse nuk arrij deri tek qëllimi, unë tërhiqem, por për fat të keq këtë nuk e kanë bërë të tjerët. Ka dy dekada që të gjithë i humbin zgjedhjet përballë BDI-së dhe asnjë nuk merr guxim të thotë se “i humba zgjedhjet dhe të skajohem (largohen) prej skenës politike” dhe tu lënë hapësirë veprimi kuadrove të partive të tyre. Këtë dëshiroj ta bëjnë të tjerët pas 15 korrikut, sepse unë do ta bëja me kënaqësi.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...