Google ADS

Ali Ahmeti tregon kur do ta shpalosë emrin e kandidatit shqiptar për kryeministër

11:22 | 24 Qershor 2020
Arbresh.info

Sigurisht, shumë njerëz nuk do të kishin besuar gjithashtu, se gjuha shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ose që flamuri do të valonte i lirë dhe që do të kishim tre universitete në gjuhën shqipe. Por ne, ca prej nesh që guxuan të synojnë realizimin e ëndrrave, e dinim se mund t’ia dilnim. Ne e arritëm këtë së bashku. Siç do të bëjmë edhe tani. Kështu para dhjetë ditësh u shpreh lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ndërsa shpalosi idenë për kryeministrin e parë shqiptar.

Në një paraqitje para opinionit, Ahmeti premtoi se në ditën e parë të fushatës, në Konventën e Prespës, do të shpaloset edhe emri i kandidatit të parë shqiptar për kryeministër, ndërsa tha se beson se kjo do të realizohet.

Me këtë rast, sot në Konventën e Prespës, në Njësinë e Pestë Zgjedhore, ku BDI-së promovon kandidatët për deputetë, lideri Ali Ahmeti do të publikojë edhe emrin e kryeministrit të parë shqiptar, ndërsa shënohet edhe fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut.

“Së bashku, ne do të shkruajmë historinë për ta bërë ardhmërinë. Së bashku mund t’i tregojmë botës, se vendi ynë mund të jetë me të vërtetë një shoqëri, ku të gjithë mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të ndjehen të barabartë. Një vend ku një shqiptar ose një shqiptare mund të bëhet Kryeministër dhe të jetë udhëheqës i denjë që garanton partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Kjo është ajo që dua t’u mundësojë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona: Besimi se ne mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë”, u pat shprehur Ahmeti me rastin e propozimit të idesë për kryeministrin e parë shqiptar.

Konventa fillon në ora 13:00 dhe do të mbahet pranë pushimores Pretor./MIA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme