Ali Ahmeti mohon të ketë krizë në raportet midis partnerëve të koalicionit qeveritar

17:59 | 26 Shkurt 2019
Arbresh.info

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, sot i hodhi poshtë spekulimet se është shfaqur krizë në raportet midis partnerëve të koalicionit qeveritar, partisë së tij dhe Lidhjes Socialdemokrate dhe tha se nuk ka asnjë përplasje brenda koalicionit.

Ai në konferencën për shtyp që e mbajti me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakajn, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, tha se vendi ka nevojë për integritet dhe jo për ndarje dhe përçarje.

“Nuk ka përplasje mes partive të koalicionit, mund të ketë dallime në pika që nuk e cenojnë integritetit as moralin e as njërës palë, por jo përplasje. Vendi ka nevojë për më shumë integritet dhe dialog mes palëve, si atyre në pozitë si atyre në opozitë, nuk mund të përjashtohet nga këto procese as opozita në vend. Kryetari i Kuvendit njihet si institucionalisti më i madh në vend, njeriu që respekton rregulloren e Parlamentit dhe nuk ka aspak hapësirë për të instaluar konspiracione, nuk ka asnjë konspiracion. Nuk ka teori konspirative”, deklaroi Ali Ahmeti.

Fërkimet midis partnerëve të koalicionit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u shfaqën pas mbledhjes së Kuvendit në të cilën duhej vendosur për marrjen e imunitetit të deputetit ish-kreut të Kuvendit, Trajko Veljanovskit.

Votimin për marrjen e imunitetit e pengoi kryetari aktual i Parlamentit Talat Xhaferi, ndërsa më vonë nga partia e tij, BDI-ja, i akuzuan disa deputetë të LSDM-së, duke thënë se ata e kanë zvarritur mbledhjen dhe nuk është arritur në afatin ligjor të votohet për marrjen e imunitetit të Veljanovskit, të cilin gjykata e Shkupit e akuzon për terrorizëm, respektivisht për organizimin e dhunës në Kuvend më 27 prill 2017.

Nga LSDM-ja shprehën dyshime se Xhaferi dhe BDI-ja qëllimisht e penguan votimin i cili me gjasë do ta çonte Veljanovskin në burg dhe se kjo ka qenë një skenar i paramenduar midis dy partnerëve të dikurshëm qeveritarë – BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së./Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme