Ali Ahmeti e Ziadin Sela nënshkruajnë marrëveshje koalicioni, zgjerohet “Fronti Evropian”

23:01 | 30 Mars 2024
R J

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, dhe lideri i Aleancës Shqiptare (ASH), Ziadin Sela, mbrëmjen e së shtunës kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet që do të mbahen në maj.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u bë në qytetin e Gostivarit – i banuar me shumicë shqiptare – në një tubim madhështor.

Në fjalën e tij, Ahmeti, duke iu folur masës dhe partnerëve të koalicionit, tha se ishte vëllau i tyre në vitin 2001, atëherë kur po udhëhiqte luftën në Maqedoni, si komandant suprem i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), derisa shtoi se tani mund të konsiderohet si vëlla i madh i tyre.

“Isha vëllau juaj i vogël gjatë 2001, sot jam vëllau juaj i madh dhe kurrë mos dyshoni se jemi krah për krah”, deklaroi ai.

Ish-komandanti i UÇK-së kujtoi edhe një nga personalitetet më të shquara shqiptare, Arbën Xhaferi, dhe tregoi edhe një moment më të gjatë kohës së luftës me të.

“S’ka si mos ta kujtoj takimin e parë timin gjatë luftës me Arbën Xhaferin, njeriu i cili ndërmjetësonte më thotë se Xhaferi është patriot, është atdhetar dhe vetëm kaq kam dëgjuar unë, më iku mendja në historinë tonë, se shqiptarët nuk kanë ditur të bashkohen në momentet historike dhe për këtë arsye ne jemi copatar nëpër Ballkanin Perëndimor Kur kam hyrë në takim, unë i kam thënë: ‘konsidero se ke një vëlla më të vogël pranë’. Arben Xhaferi mu përgjigj: ‘Mos mi luj malet o burrë’”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa, Sela në fjalën e tij deklaroi se ky bashkëpunim është “amanet për të udhëtuar drejtë Evropës dhe SHBA-së, për të mirën e shqiptarëve, për të realizuar të gjitha projektet që shqiptarët meritojnë”.

Sela theksoi se ky koalicion nuk është kundër askujt.

Ndryshe, “Fronti Evropian”, që përbëhet kryesisht nga parti shqiptare, garën kryesore do ta ketë në taborin shqiptar.

Kundërshtar e ka koalicion tjetër që përbëhet nga parti shqiptar, koalicionin “VLEN” – Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Maqedonia e Veriut këta muaj është në procese zgjedhore, fillimisht do të mbahen ato presidenciale – raundi i parë – më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja zgjedhore që zgjat deri më 24 prill. Ndërsa, fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme