Alexis Tsipras shkon sot në vizitë historike në Shkup

08:24 | 2 Prill 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras viziton këtë të martë për herë të parë zyrtarisht Maqedoninë e Veriut. Vizita është e para zyrtare pas ndërrimit të emrit të Maqedonisë.

Pika kulmore e vizitës së Jorgos Varemenos, nënkryetar i Parlamentit të Greqisë, në Australi ishte mbajtja e një fjalimi në ditën ditën e festës kombëtare me 25 mars, para grekëve që jetojnë në këtë vend. Por fjalimi në Melbourne u ndërpre nga të ashtuquajturit patriotë. Varemenos u quajt “tradhëtar”, sepse “bashkëpartiakët e tij e kanë shitur Maqedoninë”. Ndërsa politikani majtist më pas në një intervistë tha se fjalimin e tij e ka ndërprerë “një grup i vogël fashistësh”. Kjo protestë nuk ishte e vetmja, sepse protesta të ngjashme ka pasur edhe në shumë qytete të Greqisë, pas kompromisit për emrin e Maqedonisë.

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras nuk shqetësohet shumë për këtë punë. Të martën (2.04) ai do të vizitojë Shkupin së bashku me me një delegacion ekonomik, ku do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev. Në rend dite janë këshillimet për çështje ekonomike dhe të sigurisë. Tsipras do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi. “Kjo është vizitë historike”, pohon Konstantinos Filis, drejtor i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Athinë, në një bisedë me Deutsche Wellen.

Në veçanti i rëndësishëm paraqitet bashkëpunimi i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e mbrojtjes, në kuadër të NATO-s. Filis mendon se oficerët nga Shkupi në të ardhmen do të përgatiten edhe në Athinë. Ndërkohë që Greqia mund të ndihmojë Maqedoninë e Veriut edhe në fushën e kontrollit të hapësirës ajrore. “Raportet ekonomike kanë ekzistuar edhe më parë, ndërsa tani do të kemi edhe bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që ka të bëjë me vet esencën e sovranitetit të një shteti”, thotë eksperti.

Marrëveshja “nuk është zbatuar sa duhet”?
Në verën e vitit 2018, kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë dakorduar për emrin e ri: “Republika Maqedonia e Veriut”. Athina ka pranuar që të mos pengojë anëtarësimin e vendit në NATO. Pas mosmarrëveshjeve të shumta, vendimi është miratuar edhe në Parlamentin e Greqisë, në janar të vitit 2019. Opozita e cila në sondazhet e fundit është në epërsi, ende është kundër marrëveshjes. Por lideri opozitar Kyriakos Mitsotakis thotë ndërkohë, se ai nuk do të kontestojë marrëveshjen e arritur me fqinjin verior.

Protestat megjithatë kanë vazhduar në veri të Greqisë. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut nuk e ka zbatuar në tërësi marrëveshjen, thotë Filis. Kryeministri Zaev ka folur disa herë për minoritetin maqedonas në Egje, që do të thotë se ai flet për minoritetin maqedonas në Greqi – e kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur, mendon analisti. Pas hapjes së ambasadave në Athinë dhe Shkup, diplomatët janë ata, të cilët në të ardhmen do të merren me këto çështje. “Por do të duhet edhe ca kohë deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes”.

Mometi i përshtatshëm
Ajo që bashkon të dy palët është perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, pohon Miltos Kyrkos, europarlamentar i partisë To Potami. “Fqinji ynë verior shprehet i gatshëm të bëhet pjesë e BE dhe tani duhet të shfrytëzohet momenti i përshtatshëm”, thotë Kyrkos në bisedë me DW. Nëse Shkupi ndryshon politikën, në rast ndërrimi të qeverisë, atëherë BE ka të gjitha mundësitë për veprim.

Politikanët në këtë moment angazhohen për një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Ekspertët e ekonomisë thonë se marrëveshja duhet të shfrytëzohet për thellimin e marrëdhënieve. Pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes janë vendosur edhe linjat e drejtpërdrejta të fluturimeve me avionë, të shoqatës Aegean Airlines. Në takimin e ditës së martë në delegacion do të jenë përfaqëusesit e më shumë se 50 sipërmarrjeve greke, të cilët mund të investojnë në shtetin fqinj. Por ka pasur edhe disa refuzime. Kryetari i odës ekonomike në Selanik, Michalis Zorpidis nuk ka pranuar të udhëtojë në delegacion me Tsiprasin, me shpjegimin se “emri i Maqedonisë është i shenjtë” dhe se ata “do të bëjnë gjithçka për ta mbrojtur këtë emër”./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme