Google ADS

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa: Titulli për Ali Ahmetin është politizim i Universitetit të Tetovës

22:10 | 17 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Forumet rinore të partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa organizuan konferencë shtypi para Universitetit të Tetovës dhe e theksuan politizimin e vendimit për t’iu ndarë titulli Doktor honoris kauza Ali Ahmetit.

Ata e shpalosën një ekspozitë ironizuese të punimeve të cilat sipas tyre janë vepër e Ahmetit.

“Në ekspozitën që po e shihni prapa meje, kemi shpalosur vetëm disa nga shkrimet akademike që ky person do t’ua lërë gjeneratave të ardhshme, ndër të cilat janë: “Strategjia e zhvendosjes së rinisë në mërgim pa dhunë dhe represion”, si dhe librin best-seller “Të arrish deri tek 700 mijë nëna për 1 sekondë”. Përveç këtyre shkrimeve të mirënjohura, ne kemi vendosur të shpalosim edhe disa nga eksperimentet që janë zhvilluar nga personi që do të shpallet “Doctor Honoris Causa”, siç janë eksperimenti në Lagjen e Trimave si dhe ai “Monstra”, pasojë e së cilëve janë dhjetëra shqiptarë që sot dergjen burgjeve të këtij shteti”, tha midis tjerash Omer Ajdimi, kryetar i Forumit Rinor të Aleancës së Shqiptarëve.

Adem Jashari nga “Alternativa” tha se Universiteti i Tetovës nuk është i Ali Ahmetit dhe bashkëpartiakëve të tij dhe se kur të vijnë në pushtet do t’ia kthejnë dinjitetin.

“Universitetit të Tetovës, i cili është ngritur mbi gjakun dhe djersën e shqiptarëve jo vetëm të vendit tonë, mirëpo i cili për fat të keq sot ka rënë nën kthetrat e pamëshirshme të politizimit dhe partizimit që po ushtrohet nga kjo parti. Kështu i trazohen eshtrat Abdylselam Eminit, por edhe Fadil Sulejmanit, si njerëz që flijuan gjithçka për ngritjen e këtij universiteti. Prandaj edhe sot ne pyesim se vallë çfarë do të thoshte Fadil Sulejmani sot po të ishte gjallë për këtë nëpërkëmbje që po i bëhet universitetit për të cilin ai sakrifikoi aq shumë?!”, tha Jashari./tv21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme